Arrestohet vozitësi që shkaktoi aksidentin ku vdiqën dy kosovarët në Kalimash

Specialistët e Njësisë për Sigurisë Rrugore të Autostradës “Tuneli i Kalimashit-Morinë”, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për aksidentin e ndodhur pasditën e djeshme, në tunelin e Kalimashit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin, 48 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në tunelin e Kalimashit, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur automjetin tip “Ford” dhe autobotin tip “MAN”.

Nga ky aksident humbën jetën drejtuesi i automjetit tip “Ford”, dhe pasagjeri në këtë automjet, të dy banues në Kosovë. Gjithashtu, nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Benz”, pasagjerja në këtë automjet dhe pasagjeri tjetër në automjetin tip “Ford”.