Arrijnë në Turqi turqit tatarë të Krimesë të evakuuar nga Ukraina

Pasi Rusia i shpalli luftë Ukrainës, turqit tatarë të Krimesë, të cilët filluan të evakuoheshin nga vendi në rrugë tokësore, filluan të mbërrijnë në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Një grup prej 45 grave dhe fëmijëve të sjellë nga Ukraina me organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme turke kanë hyrë në Turqi përmes portës kufitare Kapikule në Edirne.

Turqit tatarë të Krimesë u mirëpritën nga zëvendësguvernatori i Edirnes, Ali Uysal, drejtori i menaxhimit të migracionit të provincës, Musa Aslıoğlu dhe zyrtarë tjerë.

Fondacioni i Vullnetarëve të Qytetit Edirne dhe Dega e Gjysmëhënës së Kuqe Turke në Edirne ofruan ushqim për turqit e Krimesë që shkuan në dhomën e pritjes pas procedurave të tyre.

“Burrat tonë janë në front”

Suzan Mambiyetava për gazetarët tha se ata u larguan nga qyteti pasi filluan shpërthimet në Kiev.

Duke shpjeguar se ata ishin dëshmitarë të hedhjes së bombave gjatë rrugës për në Liviv me burrin dhe tre fëmijët e saj, Mambiyetava tha se me mbështetjen e Turqisë ata u sollën në zona të sigurta.

Duke thënë se burri i saj po qëndron në Ukrainë, Mambiyetava tha: “I nxorën fëmijët dhe gratë. Na sollën neve deri në kufi. Prej aty na pritën Ambasada, Konsullata dhe Fondacioni Fetar turk. Na ofruan supë të nxehtë dhe na ngrohën. Pastaj erdhëm këtu. Faleminderit shumë. Burrat tanë qëndruan atje. Ne biseduam me burrat tanë gjatë rrugës. Shumë nga burrat tanë janë në front. Burrat tanë po përpiqen t’i nxjerrin gratë dhe fëmijët nga bombardimet”.

“Ata vranë fëmijët në spital”

Hanife Kurtseyit nga ana tjetër është shprehur se janë të lumtur që vijnë në Turqi.

Duke thënë se burrat e tyre po luftojnë kundër rusëve në Ukrainë, Kurtseyit tha: “Nuk kemi fjetur fare nga bombat në ditën e pestë të luftës. Në fakt, ne donim të qëndronim, por u nisëm për fëmijët tanë dhe erdhëm në Turqi. Populli ukrainas është një popull shumë i qetë dhe paqësor, ata mbrojnë vendin e tyre. Bota sheh se çfarë lloj lufte kanë hapur rusët. Ata vranë fëmijët në një spital në Kiev”.

Kurtseyit theksoi se Turqia qëndroi gjithmonë në krah të turqve të Krimesë.

Kurtseyit falënderoi Turqinë dhe tha: “Republika e Turqisë është gjithmonë me ne. Turqia na ka mbështetur gjithmonë si gjatë arratisjes nga mërgimi ashtu edhe gjatë pushtimit. Ata kanë qenë gjithmonë më të afërmit me ne”.

Zëvendësguvernatori i Edirnes, Ali Uysal, gjithashtu tha se kolona e parë e turqëve të Krimesë në Ukrainë hyri në vend.

Duke u shprehur se të gjitha përgatitjet e nevojshme janë kryer, Uysal tha: “U themi mirë se erdhët. Ata janë të afërmit tanë. Ata erdhën pas një udhëtimi shumë të gjatë. U përgatitën dhomat e tyre private. Fillimisht erdhën 45 gra dhe fëmijë”.