Arsimi, Harresa dhe Betonizimi i Mendimit

Fjolla Spanca

Ndërhyrjet, as etike e as estetike dhe gati mafioze të të gjitha qeverive, në fushën e arsimit dhe edukimit prodhuan në masë analfabetizëm funksional – nxorën studentë të paaftë për të dhënë dhe nxënës të painteresuar për të marrë! Ndërhyrjet nga jashtë i kthyen shkollat në pasarela boshe, kurse fëmijët zunë të pleqnohen përpara rinisë.

Shkruan: Fjolla SPANCA, Tiranë

Qe fillim pranvere kur u larguam, për të fundmen herë nga shtëpia. Thënë më mirë, na larguan, pra nga qejfi nuk ikëm! Asaj radhe, anëve tona as ëndrrat syhapun nuk mund të shiheshin më! Qyteti ish zvogëluar tej mase dhe ne, me shumë mundësi, ishim të tepërt në konakun tonë. Fundja, a s’po jetonim si të vdekur përditë? Dritaret tona vazhdonin të mbuloheshin me batanijet bojëkafe dhe rrotull mbretëronte nji heshtje varri aq herë, sa emisionet e lajmeve përdëftonin se nuk arrihej asnjë marrëveshje për armëpushim. Paqja nuk dukej në horizont.

Asaj nate açike, teksa mblidhnim rraqet e pakta që do fusnim në valixhet picërrake, askush nuk po fliste. Ashtu, qorrazi, e dinim se edhe mund të mos ktheheshim më kurrë! Asnjëherë. Në fakt, e vetmja gjë e sigurtë në gjithë atë pasiguri ishte lehtësia e papërballueshme e të mosqenurit më, në fragment sekondash, sepse në luftë vdekja ishte gjithnjë më e afërt sesa këmisha në trupin e kërrysur.

Tani, po ta mendosh hollë-hollë, të gjallëroje fshehurazi nëpër skutat që mbanin erë myku e lagështie, duke numëruar patatet e mbetura për të nesërmen e diskutueshme, e cila edhe mund të mos vinte dot, njeriu nis e nuhat si më sojshëm peshën e sertë të të qenurit asgjë. Ngadalë, por me siguri të epërme, çdo Shpirt i çliruar nga shpresat e rreme e shijon shqeto asgjënë e vetvetes. Në luftë, të diturit nga të paditurit i dallon veç dorëzimi i fisëm dhe përnderimi i Jetës matanë pazareve hilacake.

Veçan a ndaras nga të tjerët, jo bashkë me të tjerët, pa shokë a shoqërues, të mendoje gjatë, në luftë humbisje fillikat. Andaj, vazhdimisht ne kthenim kokën për t’u siguruar së dikë kishim pranë! Vetmia nuk ofronte zgjedhje. Të vdisje vetëm ishte e lehtë, por në të gjallë duhej dosti i vërtetë. Udhëve, lipsej urtni dhe dituri.

Mbajë mend, se i thash mamit, pak para se me lëshu pragun, që do merrja me vete librat. Librat dhe librezën e shkollës. Helbete, na kryenin punë diku! Ajo më pa, me sytë e rënduar prej lotit dhe ashtu pa zë u përgjërua me një lëvizje të paqtë vetullash; për t’mos ngulur këmbë te ideja ime. “Janë të gjitha ilaçet në çantën tënde të shkollës evlat, ama Ti vendos si të duash! Por, pa ato ilaçe, për të gjithë, rruga mund të bëhet shumë e vështirë! Librat kanë me t’prit derisa të kthehemi, së shpejti, një ditë!”. Kaq tha mami dhe fytyrën e ktheu anash, që ne të mos e shihnim vallen e lotëve rrëke faqeve, gjerë ke gusha.

“Mam, librat po i fus në gropë, këtu afër qilarit. POR, të lutem, lermë ta marr me vete albumin me fotografi. Këqyr, jemi tanë bashkë këtu! Mam, kur na nxenë malli, i shohim një nga një edhe nuk i harrojmë!” – pak a shumë, kaq ruaj në kujtesë prej asaj nate plus ca thirrma të lëshueme nga loçka e gjysheve teksa venin drynat në dyert dryshtrypura nga goditjet e shqelmave të uzurpatorëve – pronarë të paqenë, në ardhje.

Po largoheshim pa librat. Veç me fotografitë. Nga mërzia, s’e di si nuk u verbuan sytë?!

****

dhjetor 2023: Para ca ditësh, në një nga kronikat e luftës së gazetarit gazan Motaz Azaiza, ma kap syri një djalosh, këmbëzbathur, tek ecte me shpejtësi ere, mes bombash e rrënojash, me një tuf librash, vendosur sipër kokës e shtrënguar, njomëz, me dy duart e lodhura prej urisë.

Eh! Lufta!

Offff! Lufta!

As në ditët e saja më të lavdishme, nuk arrijka dot ta mposhti Dashninë e paepun të një Shpirti, që lidhet fortë, pazgjidhshëm, me urtninë e shkronjat – këto harkore e farkëtuese të një Bote, që vëzullon ndën vegime të çiltra, larg tahmasë e pangopësisë.

U kujtova edhe njëherë për vetën dhe Jetën që mund të mos e kishim. Ne, muaj mbrapa dëbimit, u rikthyen në Tokën tonë, në oborrin e shkrumbuar të odës së agës. Erdhëm, me betimin e zëshëm që s’kemi për të ikur ma kurrë! Na mblodhën oqeanet e shpresës!

Dhe, pakkush, në mos hiç askush, mund ta kishte nuhatur a çuar nëpër mend se ne, të dëbuarit me forcë e dhunë, do ta jetonim një ditë, të zhveshur prej dëshirës e vullnetit, buzë greminës së dëshpërimit, në teh të dorëzimit ndaj pafuqisë, për ta bërë më të mirë, këtë atdheun tonë, gjysmak, me prijës, dëshprimisht qesharak.

Shumë ZERO për një HIÇ

Kthimi në bankat e shkollës nuk ishte i kollajtë! Kaluan muaj duke numëruar nxënësit që ktheheshin dhe ata që s’do vinin më asnjëherë, sepse shkolla qe mbyllur bashkë me sytë picimul të të vegjëlve fatpak! Lufta s’pati mëshirë për asnjë.

Mësueset sa vinin sa shkonin! Librat ishin, librat mungonin! Pastaj një ditë të bukur e kuptuam se në shkollë askush nuk duhej të fliste për luftën, për kujtimet e trishta dhe për ata që s’ishin! Kjo përpjekje memece për t’i rehabilituar fëmijët nuk dukej as e shëndoshë e as autentike!

Rrjedhimisht, ndër semestra, në shkollë ne luftuam fuqishëm kundër otomanëve, tek-tuk me fashistët e nazistët, por kurrë ama nuk e prishëm temenanë e të qenurit politikisht korrekt para “realitetit të ri” që po ndërtohej mbi heshtjen dhe përgjumjen tonë. Kështu, më direktiva nga lartë dhe ca përpjekje minimaliste prej poshtë, më shumë sesa traumat tona, ne, të gjithë tok, me ose pa dëshirë, e rehabilituam një të kaluar traumatike dhe një armik zhvatës e shfarosës; e thjeshtësuam deri në zhbërje vuajtjen dhe dhimbjen kolektive, saqë u ngatërruan viktima e vrasësi, derisa dekada mrapa indiferenca jonë e shpalosi zemëratën më flagrante për një popull e shoqëri të tërë.

Kaq rrëmujshëm janë zeruar kujtimet, sa neve, dro, po bëhemi veç një Hiç i madh brenda Tokës për t’cilën të tjerët luftuan dhe u flijuan! Ne po kthehemi në qenie hiçi edhe brenda mendjes sonë të trazuar. Është gati turp ta pranosh se me sukses të padiskutueshëm janë zeruar edhe hjekat edhe trumat e një shoqërie që jetonte tinëz syrit të pafjetur të një pushtuesi, sistematikisht dhunues e barbar. Kështu, duke i asgjësuar përpjekjet e së kaluarës, Kosova përditë e më shumë u kthye në një vend me qëndrueshmëri të brishtë dhe zhvillim të vonuar ndërsektorial. Madje sot, fatkeqësisht, qytetarët e tëhuajsuar me zor presin që të ikin, një ditë e më parë, prej këndej!

Rrënjët, Harresa dhe Mbingarkesat Partiake

Zakonisht, pasi njeriu të jetë përballur me flakët e zjarrmisë së egër e të mundimshme ndodh rëndom një mpirje akute; potencialisht një masë kjo për ta mbrojtur zemrën nga pesha e rëndë e emocioneve të mëdha. Gëzimet e befta shpesh ta fusin frikën në palcë! Ose-ose, frika e shtresëzuar ndër palcë, prej motesh, nuk u lë hapësirë të bollshme gëzimeve për t’u çelur në natyrshmërinë e tyre, hyjnore. Anëve tona ka përherë doza paniku – si pararojë për zemrat që akoma rrahin nën trysninë e frigës dhe dyshimit, nën piskamën e pritjes dhe të mallëngjimit.

E gjithë kjo çorbë emocionesh shpeshherë na shtyen kah rrënjët tona! Andej nga ku çelin brezat dhe dashuria e tyre për jetën! Thënë kështu, shkollimi për shumë mote ka qenë ëndërr në sirtarin e vyshkur të nahijes tonë. Lipsej guxim i pashoq për t’i çuar sidomos vajzat në shkollë për shkak të rrethanave politike, ekonomike, sociale e kulturore.

Gjenerata me radhë, gratë shqiptare qenë edukatoret dhe mësueset e para që na rritën e gatitën mes prrallash e ninullash djepi; urtni këto të mësuara prej të parëve të tyre; e përcjellur me shumë fisnikëri e dashni në brezat e rinjë. Po, po. Mbi këto të faluna shpirtnore, prajshëm meremetohej baza e parë e qenësisë tonë. Mund të mos dinim shumë gjëra mbi universin, por krahnorin e mbanin butësisht njerzishëm. Dhe kjo, besoj, na mjaftonte aso kohe.

E ç’ndodhi më pas?

Ne prishëm radhën e vlerave me të cilat u brumosëm. Duke harruar se ç’kish shkuar, u rrokëm fortë mbas hamendësimit së zbërthimit i të vjetrës në funksion të së resë, do bëhej çelës i shpëtimit. Andaj, i krasitëm të gjitha mbamendjet dhe përmes programesh të sofistikuara prej jashtë, kryem një formatim, pa mundësi rikthimi në gjendjen fillestare të kujtimeve.

E çfarë nënkupton kjo? Po, ja: në shkollë nuk patë me libra sepse ne rastisëm të ishim brezi i parë i reformave. Mësonim përmes shënimeve, me qirinjtë ndezun, mbërthyer prej premtimeve parashutiste se asgjë e keqe s’do na vinte prej këtyre eksperimenteve. Ca kohë mbas, kur erdhi dita të pajiseshim me libra, shumë sosh as kuptoheshin e as lexoheshin. Fatkeqësisht, gjendja erdhi duke u rënduar në vend që të paqtohej.

Ndërhyrjet, as etike e as estetike dhe gati mafioze të të gjitha qeverive, në fushën e arsimit dhe edukimit prodhuan në masë analfabetizëm funksional – nxorën studentë të paaftë për të dhënë dhe nxënës të painteresuar për të marrë! Ndërhyrjet nga jashtë i kthyen shkollat në pasarela boshe, kurse fëmijët zunë të pleqnohen përpara rinisë.

Një pjesë e mirë e atyre që u larguan për të nxënë dije jashtë Kosovës, në të kthyer, sollën andrrallat e shoqërive që pak e hiç bënin derman për dergjën tonë. Intensifikimi i reformave, projekteve, eksperimenteve e shoshiti dëshirën e mijëra nxënësve për të nxënë në plotni. Mësuesit, të gjendur keq para “sporteve të tilla”, u detyruan symbyllurazi të pranonin pasi kishin kundërshtuar çdo “ndryshim galaktik”

… të lindur për të qëndruar.

“Born in Gaza” është një film dokumentar i realizuar fill pas mbarimit të konfliktit Izrael-Palestinë në vitin 2014, në qendër të së cilit shpaloset jeta e 10 fëmijëve palestinezë. Dokumentari mëton të zbërthejë e të shqyrtojë më në thelb ndikimin që dhuna ka pasur në transformimin e jetës së këtyre fëmijëve. Duke e parë në mesnatë, mbasi qyteti bie në gjumë, shtrëngohem të mbyll sytë hera-herës, por bëhet thuaja e pamundur ta çoj deri në fund, sepse dhemb, oh sa dhemb vuajtja e tyre; therr në shpirt rritja e parakohshme e fëmijëve, rritja pa dëshirën dhe vullnetin e tyre, si detyrim dhe domosdoshmëri për të mbetur gjallë.

Ata fëmijë, të gjymtuar e të sakatuar, flasin ujshëm për etjen e tyre në kërkim të një jete, me pakëz dinjitet! Zemrat e fëmijëve notojnë si peshq thellë në detin e gjërë të një urtnie, pa korniza e shtiza. Kanë ëndrra, por s’kanë shumë shpresë! Kanë plane, por i kanë prerë në besë! Aq sa kanë mbetur, duan të mësojnë e të punojnë! Duan të mësojnë! E dashurojnë shkollën dhe dijen! Duhet t’i shërbejnë familjes dhe kombit, ndaj s’kanë kohë për të humbur! Këmbëngulin me jetu në Gazën e Amaneteve të të parëve. Kanë edhe mendime, anise mbyten në dhimbje.

Mendohem pak… e paskemi, si të thuash, të njejtin fat! Jemi të vegjël dhe të parëndësishëm në një rreth egërsisht të pamëshirshëm. Vetëm se neve nuk na plotëson më Liria, kurse ata nuk i ka rrëzuar as robëria.

Fundja, Rezistenca është zanat i njerëzve të vyer, kurorë për mendjen e Naltë.

Edhe njëherë më mori malli për shqiptarët e pasluftës, thurësit e jetës me baulet e xixëllonjëta prej shpresës e mirësisë! Shqiptarët e 1001 mundimeve, por me Dashninë e paepun për tokën e Shqiptarisë. Shqiptarët që Shqipërinë e kishin Tokën e Premtuar! Ata që mendonin dhe akoma s’ishin të harruar!

Betonizimi i Mendimit

Betonizimi radikal i shumicës së hapësirave të jetueshme doemos ka ndikuar direkt edhe tek shëndeti mendor e shpirtnor i qytetarëve tanë, mendimi i të cilëve zbehet nga dozat e frikshme të ndotjes së ajrit. Betonizimi ka sjellur normalizimin e “hospitalizimit” të njerëzimit! Pra, ne sot jetojmë nëper shtëpi që ngjajnë në dhoma spitalesh, brenda të cilave mungon shpresa, motivimi, frymëzimi e mendimi! Aparaturat e sofistikuara të modës së fundit me lezet na shtyjnë të hamë, të pimë, të shohim, të fiksohemi dhe, mbi të gjitha, të tjetërsohemi. Natyrisht, çdo gjë duket fare normale derisa të kapërthehemi brenda një absurditeti, që nuk prodhon gjë, përveç monotonisë, dëshprimit e pesimizmit. Depresioni i betonizimit dëfton qartazi boshllëkun e një shoqërie që turravrap kërkon të ngjesi majat e rrokaqiejve, të cilët pambarim ngulmojnë të prekin retë… kjo shoqëri, anise bie përtokë e marrosur, sërish në mungesë absolute të sinqeritetit me vetvetën hamend se çdo marrëzi mund të jetë normalitet dhe domosdoshmëri.

Mendësia e një sistemi që kërkon “njerëz për provë” pretendon se na njeh mjaftueshëm dhe mund të na shumëzojë e përpjestojë përmes komandimit të lirë, madje ky sistem e nxjerrë jashtë kontesktit edhe refuzimin a kritikën, qoftë dhe simbolike të shoqërisë së ftilluar. Ky sistem lë në hije vlerat e një shoqërie duke i nxjerrë në pah, përmes spektaklit zhurmues ,vetëm idetë që përkojnë me interesat e disave dhe forcimin e pushtetit. Pra, po ta shohim industrinë e librit sot, në masë gjejmë botime limonat, sponsorizuar e lëmuar prej ambasadash e organizatash që qëllimisht promovojnë agjendat ultraliberaliste. Ka pak art e letërsi dhe shumë zhurmë e ideologji.

Gjithsesi, përballja me marrëzinë, asnjëherë s’ka qenë e lehtë!

Ky sistem aspak serioz ka dhënë prova të mjaftueshme se fëmijët përsa kohë nuk shijojnë fëmijërinë e tyre, nuk kanë për të nxënë as në shkollat e reformuara. Vendet nordike tashmë i kanë treguar botës së fillimi i shkollimit në moshë të hershme nuk është alternativa më e mirë; e as testimet klishe me nota e yje në duar, metoda këto që dallojne më të mirin në mesin e më pak të mirëve. Për finlandezët, nxënësit e dobët janë aset i rëndësishëm sepse i nxjerrin sheshit problemet që mund të ketë sistemi i arsimit! Këta nxënës bëhen shkaku që mësimdhënësit të mblidhen, të diskutojnë e të ndërveprojnë, derisa të identifikohen mangësitë dhe mundësitë potenciale për të riorganizuar mësimdhënien. Ky sistem nuk i nënvlerëson sfidat! Finlandezët i mirëpresin sfidat si ftesë për t’u rritur e zhvilluar! Ndërkaq, ne harrojmë se një sistem arsimor cilësor mund të jetë potenciali më i madh i ngritjes ekonomike të Kosovës, siç qe edhe për vendet e tjera. Ne jemi ngushtësisht të centralizuar tek vetja dhe një grup i vogël njerëzish, duke i anashkaluar kështu mundësitë për ta këndellur gjithë shoqërinë. Ne, duke u përqëndruar vetëm tek notat dhe vlerësimet individuale, nxjerrim jashtë orbitës Njeriun dhe kapacitetin e tij. Ne e nxjerrim jashte funksionit mendimin dhe natyrshmerinë.

Zaten, tashmë edhe mali ka dalë jashtë funksionit; natyra është e papërballueshme, kurse bodrumet pa ajër mbetet goxha mainstream! Errësira dhe tymnaja e socializimit të munguar ose, njohur ndryshe, si vetmia moderne, janë mjaftueshmërisht të bollshme për rininë që i numëron ditët deri në marrjen e vizave të punës! “Duhet me ik, jashtë!” – refren dramatik, melankolik i të autoportretizuarve si mërgimtarët e së ardhmes!

Prindërit nuk janë më pak përgjegjës në ndërtimin e kësaj bote surreale, ku fëmijët kanë çdo gjë që duan në këmbim të asgjëje. Pa dyshim, t’ia ofrosh fëmijës jetën që nuk e ke pasur asnjëherë për veten njëmend është sakrificë e madhe, por se ne shpesh harrojmë se kjo mendësi po e nxit parazitizmin më të frikshëm të kësaj kohë, paralel me depresionin dhe ndjesinë e të qenurit të pakënaqur vazhdimisht!

Përtej rëndesës ekonomike, pa e zhvlerësuar as edhe një bulzë djerse të prindërve shqiptarë, na duhet sërish të reflektojmë për gjithë çfarë ndodh sot mes nesh! Rezultatet e publikuara nga PISA nuk flasin për një Kosovë tjetër! E di, shumë u habitëm që nxënësit e ndënqiellit të Palëstinës dolën ku e ku më mirë sesa shqiptarët e të gjitha trojeve! Kjo, mbase, është këmbana që po bie për fatin tonë!

Ndaj, le t’i rikthejmë në piedestalin e munguar të gjitha mendjet e Nalta që ndër breza kanë nxitur të menduarit kritik; kanë lëvruar gjuhën përmes Dashurisë së Paqtë të së Mirës dhe të së Bukurës! Le t’u japim mjaftueshëm hir atyre mendjeve që shkencën e kanë nderuar, duke e trashëguar me përpikëri të fisme ndër gjeneratat e reja! Shmangia e konkurrencës së sëmurë dhe e krahasimeve aspak të njerëzishme, përkitazi me brumosjen e idealit kombëtar në arsim, si dhe eliminimi i dallimeve urbane vs. Rurale, janë hapa urgjentë që do duhej ndërmarrë. Konsiderata për mendimin kreativ, si dhe rimodelimi i kurrikulave kombëtare mund të çojnë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe rezultateve më të mira te nxënësit. Gjithashtu, rivlerësimi dhe zgjerimi i përvojave të mësuesve do të ishte çelës për hapje të reja mendore e kulturore. Gjersa, shkëmbimet mes shkollave në Kosove, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut do i shërbenin jo veç ngjizjes se ndjesive kombëtare, por edhe thellimit të njohjes së njëri-tjetrit dhe pasurimit të shqipes. Shkëmbimet e shqiptarëve të të gjitha trojeve do ishin të frytshme dhe për afrimin me librin shqip, një vlerë kjo e paçmuar ndër anët tona.

Po, shqiptarët kanë rrugë të gjata për të bërë dhe nëqoftëse arijnë ta mbajnë fortë të mirën brenda vetes, duke i ndarë mundësitë, paqtuar dhimbjet e shtuar ndihmën, atëherë mund të themi se ne do ia dalim të jemi bashkë!

p.s. ky shkrim me gjithë të metat e lëshimet e veta, u kushtohet veçmas grave shqiptare, që u rritën bashkë më dashurinë për librin e shkollën, por nuk arritën kurrë ta shkelin pragun e universitetit. Ju, i keni hak’ diplomat e lavdisë!