Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, salavatet më të mira e përshëndetjet më të plota qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij të gjithë.
Vërtet, momenti kur do të ndodhë Kiameti është fshehtësi, nuk e di askush nga njerëzit në asnjë rrethanë; dijenia për të është vetëm tek Allahu i Lartësuar. Allahu thotë: “Vërtet, tek Allahu është dituria e orës (Kiametit).”[1]
Të shumtë janë ata që pyesin: “Kur do të ndodhë Kiameti?” Këtë pyetje ia kanë bërë edhe njerëzit Profetit (a.s.), shumica e të cilëve ishin beduinë dhe banorë të shkretëtirës.
Ndryshe, zgjedhurit prej shokëve të tij punonin për Ditën e Kiametit dhe nuk pyetnin për momentin e saj, sepse ishin të bindur nga fjala e Allahut: “Vërtet, Kiameti do të vijë.”[2] Ata e dinin se çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen është afër; prandaj ishin të angazhuar për të kryer vepra të mira. Ndërkaq, beduinët dhe banorët e shkretëtirës pyetnin për kohën e saj pa u përpjekur për të bërë vepra.
Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Ndërsa Pejgamberi (a.s) ishte ulur në një kuvend dhe po u fliste njerëzve, erdhi një beduin dhe i tha: “Kur është Kiameti?” Pejgamberi (a.s) vazhdoi bisedën e tij. Disa nga të pranishmit thanë: e dëgjoi çfarë tha, por nuk e pëlqeu. Të tjerët thanë: jo, nuk e dëgjoi. Pejgamberi (a.s) vazhdoi derisa mbaroi fjalimin, pastaj tha: “Ku është ai që pyeti për Kiametin?” Tha: Ja ku jam, o i Dërguari i Allahut. Tha: “Kur të humbasë besnikëria, atëherë prite Kiametin.” Tha: Si humbet ajo? Tha: “Kur çështja t’u besohet atyre që nuk janë të zotët për të, atëherë prite Kiametin.”[3]
E dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij:
Shumë herë është pyetur i Dërguari i Allahut (a.s) për Ditën e Kiametit, dhe ai gjithmonë i përgjigjej pyetësit me atë që i sillte dobi, jo me atë që kërkonte vetja e tij.
Enesi (r.a) tregon se një beduin erdhi te Profeti (a.s) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, kur do të ndodhë Kiameti? Ai tha: “Mjerë ti! Çfarë ke përgatitur për të?” Ai tha: Nuk kam përgatitur për të asgjë, përveçse e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ai (a.s) tha: “Ti do të jesh me ata që i do.” Ne thamë: Edhe ne po ashtu? Ai (a.s) tha: “Po.” Atë ditë ne u gëzuam shumë.”[4]
Ata frikësoheshin nga Kiameti:
Shokët e të Dërguarit të Allahut (r.a) i frikësoheshin Ditës së Kiametit dhe e prisnin që ajo të ndodhte gjatë sa ishin gjallë. Ata nuk thoshin siç themi ne sot: “Ka edhe qindra vjet deri që ajo të vijë, ka shenja të vogla e të mëdha.” Përkundrazi, ata përgatiteshin për të.
Ubejdullah ibn Nadri tregon: Më tregoi babai im se kishte rënë një errësirë në kohën e Enes ibn Malikut (r.a). Shkova tek ai dhe i thashë: O Ebu Hamza, a ju ndodhte gjë e tillë në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s)? Ai tha: “Allahu na ruajtë! Nëse era frynte fort, ne nxitonim drejt xhamisë nga frika se mos ndodhte Kiameti.”[5]
Ata pyesnin për sprovat që do të ndodhnin për të qenë të përgatitur me besim dhe vepra:
Shokët e Profetit (a.s) pyesnin për sprovat që do të ndodhnin, jo për t’u argëtuar dhe as për të dëgjuar tregime të mahnitshme, por pyesnin për to për t’u përgatitur me besim dhe vepra të mira, dhe për të ditur çfarë do t’i urdhëronte i Dërguari i Allahut (a.s) kur ato të ndodhnin.
Hudhejfe ibn el-Jemani (r.a) tregon: “Njerëzit e pyesnin të Dërguarin e Allahut (a.s) për të mirën, ndërsa unë e pyesja për të keqen nga frika që ajo të mos më kapte. Unë thashë: O i Dërguari i Allahut, ne ishim në injorancë dhe të keqe, pastaj Allahu na solli këtë të mirë. A ka pas kësaj të mire ndonjë e keqe? Ai (a.s) tha: “Po.” Thashë: A ka pas kësaj të keqe ndonjë e mirë? Tha: “Po, por do të ketë mjegull.” Thashë: Çfarë është mjegulla e saj? Tha: “Një popull që udhëheq me diçka tjetër përveç udhëzimit tim; ka gjëra që i njeh prej tyre dhe gjëra që i mohon.” Thashë: A ka pas kësaj të mire ndonjë e keqe? Tha: “Po, thirrës në dyert e Xhehenemit; kush u përgjigjet atyre, ata e hedhin në të.” Thashë: O i Dërguari i Allahut, na i përshkruaj ata. Tha: “Janë nga lëkura jonë dhe flasin me gjuhën tonë.” Thashë: Çfarë më urdhëron të bëj nëse e arrij atë kohë? Tha: “Rri me bashkësinë e myslimanëve dhe me imamim e tyre.” Thashë: Po nëse nuk kanë bashkësi e as imam? Tha: “Largohu prej të gjitha atyre grupeve, edhe nëse të duhet të kafshosh rrënjën e një peme, derisa të të vijë vdekja ndërsa je nëkëtë gjendje.”[6]
Në një transmetim tjetër thuhet: “Ik në tokë, edhe nëse vdes duke kafshuar trungun e një peme.”[7]
Së fundmi:
I Dërguari i Allahut (a.s) na paralajmëroi nga çdo e keqe që na largon nga rruga e drejtë, dhe ashtu si nuk la derë të së mirës pa na udhëzuar drejt saj, nuk la derë të së keqes pa na paralajmëruar prej saj.
Allahu i shpërbleftë të Dërguarit të Tij më së miri, që na sqaroi çdo gjë që të mos na largojë nga Allahu dhe të mos na fusë në humnerën e shkatërrimit, dhe na udhëzoi drejt rrugës së shpëtimit nga çdo sprovë, e dukshme apo e fshehtë, për sigurinë e fesë, dynjasë dhe ahiretit tonë. O Allah, na mundëso të ndjekim udhëzimin e tij. Amin.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. “I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i madhërisë nga ajo që ata ia përshkruajnë! Paqe mbi të dërguarit! Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.”
Autor: Ahmed Sherif Na’san
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Lukman: 34.
[2] – Sure Taha: 15.
[3] – Buhariu dhe Muslimi.
[4] – Buhariu.
[5] – Ebu Daudi dhe Hakimi.
[6] – Buhariu dhe Muslimi.
[7] – Ahmedi.








