Atiq: Çfarëdo problemi që kanë qytetarët, angazhimin e kemi me i rregullu

Pas betimit si kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq tha se çfarëdo problem që kanë qytetarët, do të angazhohen që ta rregullojnë.

Ai theksoi se rezultati i procesit zgjedhor të 23 prillit ka qenë në margjina të ligjeve, përcjell teve1.info

“Ne si ekzekutiv qëllimin e kena për me ua lehtësu jetën qytetarëve, edhe normal çfarëdo pengese, çfarëdo problemi që kanë qytetarët në këtë aspekt, në këtë dimension, angazhimin e kemi që me i rregullu problemet të cilat ata i cilësojnë si probleme…Gjithçka është në kuadër të ligjit, ne kemi edhe të drejta por edhe obligime kushtetuese. Rezultati i procesit zgjedhor, gjithçka ka shkuar në kuadër edhe në margjina të ligjeve. Sa i përket deklaratave, nuk kam kurgjo çka me shtu, përveç asaj që e tham më herët”, deklaroi Atiq.

Teksa, tutje potencoi se do kishte pasë dëshirë që të kishte përqindje më të madhe të qytetarëve në votim.

“Jemi për të gjithë qytetarët. Kishim pasë qef me dal përqindje ma e madhe e qytetarëve, ky është rezultati. Unë në cilësi të kryetarit të komunës jam si rezultat i atyre zgjedhjeve”, shtoi ai.

Në një ceremoni në objektin e komunës së Mitrovicës së Veriut, Atiq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, u betua sot si kryetar i ri, pas fitores në zgjedhjet e 23 prillit.