Atje po kërcasin bombat e nxehta, këtu po troket acari kërcënues

Iljasa Salihu

Vallë, dy liderët e vendeve më të fuqishme në botë, do t’i përmbahen parimit që Hrushovi e këshilloi Kenedin në një nga letrat e tij 60 vjet më parë, duke i thënë: “Nuk duhet të dorëzoheni para pasioneve. Është e nevojshme të kontrollohen ato”. Përndryshe, si atëherë, ashtu edhe sot, bota mund të ngelet pa fitues që festojnë dhe pa humbës që vajtojnë, ngaqë si njëri, ashtu edhe tjetri mund të mos ekzistojnë në faqen e dheut.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup

Sulmet ruse, të nisura në muajin shkurt, po dalin të jenë tepër të gjatë dhe me pasoja marramendëse, jo vetëm për banorët e pafajshëm ukrainas, por për botën në përgjithësi, veçanërisht për shtetet në Europën Juglindore, të cilat derisa përpiqeshin për agimin ekonomik, sakaq dhe sa keq i zuri muzgu i tmerrshëm i ngritjes së çmimeve si rrjedhojë e zbehjes së rrjedhës së gazit që vinte nga Rusia dhe disa produkte bujqësore që vinin nga Ukraina. Tanimë, përpos viktimave në njerëz në vatrën e përleshjeve të armatosura, viktimë, jashtë kësaj vatre, është ekonomia, ku rritja e çmimeve ka shkuar në stratosferë, kurse të ardhurat financiare gulçojnë në sipërfaqen e tokës. Kësisoj, çmimi i naftës, gazit dhe energjisë elektrike është rritur në nivelet më të larta historike. Çmimi i gazit natyror pati një rritje të madhe nga gjysma e dytë e 2021 dhe më tej në 2022. Në vitin 2021, në Europë, çmimi mesatar i gazit u rrit për 370 për qind krahasuar me vitin 2020. Në periudhën janar dhe gusht të vitit 2022, çmimi mesatar i gazit natyror në Europë arriti në 1.389,5 dollarë për metër kub, që është një rritje prej 143,7 për qind krahasuar me mesataren e vitit 2021. Në gusht, çmimi i gazit arriti në 2.478,2 dollarë për metër kub. Natyrisht, është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike. Në periudhën janar dhe gusht të këtij viti, çmimi mesatar i energjisë elektrike është 272,7 euro megavat për orë, që është 139,4 për qind më i lartë se çmimi mesatar i vitit 2021. Kjo është vetëm një pasqyrë e ndikimit të kësaj lufte, ku mes tjerash tregon se sa shumë kishte qenë e varur Europa prej gazit rus dhe prej disa produkteve bujqësore të Ukrainës.

Në njërën prej enciklopedive, kriza energjetike përkufizohet kështu: “Një gjendje e karakterizuar nga gjendja e mungesës ose mungesë në furnizimin e burimeve të energjisë. Në këtë kuptim, karakteristika kryesore e kësaj lloj krize është pamundësia për të furnizuar plotësisht kërkesën e tregut të energjisë”.

Jorastësisht dhe jo pa ndonjë informacion të rëndësishëm, kryeministrat e kontinentit europian njëzëri po paralajmërojnë se do ta kemi një dimër shumë të vështirë, të acartë, të shtrenjtë dhe me përplot të panjohura të këqija. Buxhetet shtetërore, në njërën anë, po zhvlerësohen si rrjedhojë e inflacionit, që në Eurozonë tashmë është rritur në 5.1 për qind dhe në Maqedoninë e Veriut në 11.1 për qind, shifër kjo më e larta që nga periudha e pavarësisë së vendit nga ish federata jugosllave në vitin 1991 dhe, në anën tjetër, në vend të investimeve kapitale mjetet buxhetore po shkojnë në masat kursyese, të cilat duken të jenë ta pamjaftueshme për ta përballuar këtë inflacion marramendës. Shtoja kësaj panorame të zymtë edhe borxhin publik në Maqedoni të Veriut, ku deri në fund të vitit pritet të jetë deri në 8 miliardë euro, mbase edhe më shumë.

Këto ditë në Francë qytetarët e saj janë ngritur në protesta kundër shtrenjtimit të jetës dhe pamundësisë për ta përballuar krizën ekonomike. Kjo edhe pritej. Mirëpo, Franca e filloi e para, për t’u ndjekur tani edhe prej shteteve të tjera. Megjithatë, përpos thellimit të krizave, këto protesta mund ta zhvendosin krizën ekonomike në një krizë të sigurisë. Protestat nuk priten të kenë ndikim të dukshëm, ngaqë kërkohen para nga një buxhet që në kohë krizash ekonomike me vështirësi mbushet, kurse vrimat për zbrazje janë tejet të gjera. Kemi rastin ekonomik, ku kërkesat janë tejet të larta përballë një oferte tepër të ulët, që pa mëdyshje shoqërohet me ngritje të çmimeve, ngritje kjo që shumë shpejtë do të jetë e papërballueshme për konsumatorin.

Kjo krizë, që ka trokitur furishëm në dyert tona, madje po ashtu harbueshëm është futur edhe nëpër dhomat tona, ta kujton krizën e parë të naftës të vitit 1973, ku shtetet anëtare të organizatës së vendeve arabe eksportuese të naftës (OPEC), të udhëhequra nga Arabia Saudite, shpallën embargo për naftë, që ndërlidhej me vendet që e mbështesnin Izraelin. Vendet viktimë fillimisht ishin Kanadaja, Japonia, Holanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, por që më vonë u zgjerua me Portugalinë dhe Afrikën e Jugut. Për pasojë, deri në fund të embargos në fuqi, çmimi i naftës shënoi rritje në 300 për qind. Ekonomia kapitaliste botërore përballej me vështirësi të mëdha. Këto veprime e përshpejtuan recesionin që u shoqërua nga rritja e inflacionit. Duhet theksuar se SHBA-ja atëkohë mendonte të ndërmerrte veprime ushtarake për të siguruar qasje në burimet e energjisë, mirëpo embargoja u hoq pas pak muajve, në vitin 1974. Megjithatë, çmimet e naftës mbetën të larta, ndërkohë që ekonomia kapitaliste botërore ishte dobësuar dukshëm. Po ashtu, njohësit e krizës së sotme në Ukrainë këtë katrahurë e krahasojnë me krizën e raketave kubane. Meqenëse në vitin 1962 Bashkimi Sovjetik, pasi kishte dëgjuar se SHBA-ja kishte vendosur fshehurazi raketa bërthamore në Turqi, atëherë Bashkimi Sovjetik vendosi raketa bërthamore në Kubë, kjo si kërcënim dhe presion ndaj SHBA-së. Dy Fuqitë e Mëdha po bëheshin gati për një kataklizmë në një vend të tretë, mu sikurse sot kur Ukraina, në përpjekje për t’iu bashkangjitur bllokut perëndimor, po përballet me Rusinë, po mëton ta sfidojë SHBA-në, ngaqë rreshtimi i Ukrainës në bllokun perëndimor, mes tjerash, është përkrahje dhe nxitje amerikane. Pas fitorës së tërthortë të Rusisë në Siri në vitin 2014, duket se Putinit i është zgjeruar pellgu i trimërisë. Përfundimisht, kriza e ngjeshur u zgjidh. Kenedi dhe kryeministri sovjetik Hrushov u pajtuan që Bashkimi Sovjetik do t’i largonte raketat nga Kuba, ndërsa Kenedi premtoi se nuk do ta pushtonte Kubën dhe do t’i largonte raketat amerikane nga Turqia. Tani, në këtë kohë, nuk e dimë saktë se si do të jetë fati ynë. Vallë, dy liderët e vendeve më të fuqishme në botë do t’i përmbahen parimit që Hrushovi e këshilloi Kenedin në një nga letrat e tij 60 vjet më parë, duke i thënë: “Nuk duhet të dorëzoheni para pasioneve. Është e nevojshme të kontrollohen ato”. Përndryshe, si atëherë, ashtu edhe sot, bota mund të ngelet pa fitues që festojnë dhe pa humbës që vajtojnë, ngaqë si njëri, ashtu edhe tjetri mund të mos ekzistojnë në faqen e dheut.

Sidoqoftë, gjendja vijon të përshkallëzohet. Sulmet ruse nuk kanë shenjë ndaljeje, sidomos tani pas rrënimit të urës që e lidhte Krimenë me Rusinë. Nëse dikur mendohej se SHBA-ja do të ndërmerrte ndonjë sulm ushtarak për të siguruar qasje në burimet e energjisë, tani pamjaftueshmëria e burimeve të energjisë dhe parandjenja e Rusisë për ndonjë humbje të mundshme mund që të përfundojë me bombë bërthamore, ku pasojat do të jenë fatale dhe kontinentale, për t’ia nisur pastaj nga e para, për të filluar me një rend të ri botëror, një rend të cilin e mendonim që do të ndodhte për shkak të pandemisë, por që duket se pandemia qe e pamjaftueshme. /shenja