Avokati kërkon lirimin e Rexhep Selimit nga paraburgimi

Avokati i Rexhep Selimit, Robert Karls, ka kërkuar që Rexhep Selimi, klient i tij në Speciale të lirohet për t’u mbrojtur në liri.

Ai ka thënë se nuk ka indikacione që Selimi do të arratiset apo të ndikojë tek dëshmitarët, shkruan lajmi.net.

Tutje, Karls ka thënë se Rexhep Selimi mund t’i ketë mendimet e veta për gjykatën, mirëpo se kjo nuk determinon veprimet e tij karshi lëndës.

“Ne do të bëjmë një kërkesë për lirim të ndërkohshëm. Desha të shtoj se mbajtja në paraburgim duhet të bëhet edhe në baza solide, dhe kjo nëse ka rrezik të arratisjes. Dua të theksoj se klienti im ka bashkëpunuar edhe më përpara, dhe ajo që tha ai tani për mënyrën e arrestimit, ai u kontaktua nga zyra e Prokurorit, dhe u dorëzua vet. Këto janë indikacione se nuk ekziston rreziku i arratisjes. Çfarëdo që mendon klienti im për këtë gjykatë, s’ka asnjë indikacion që do të influencojë tek dëshmitarët, apo do të asgjësojë provat”, ka thënë avokati i Selimit.Selimi ndërkaq sot është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij.Para se të deklarohet për fajësinë, ai ka mbajtur një fjalim në Gjykatën Speciale.