Babai zëvendësministër, kompania e djalit e furnizon me beton autostradën Prishtinë – Gjilan

Në emisionin e sotëm “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan gjetjet e një hulumtimi katërmujor i cili zbardh mënyrën se si kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, është përfshirë në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan. Furnizimin me beton për autostradës Prishtinë-Gjilan, nga kompania e djalit të zëvendësministrit Rexhep Kadriu, nuk e mohon as ky i fundit. Rexhep Kadriu është larguar nga pronësia e kompanisë para pak muajve. “Kompania “Pro- Eng” ka qenë pronë e imja, tash është pronë e djalit. Nga pronësia jam larguar para katër ose pesë muajve”, ka thënë Kadriu për emisionin “Drejtësia në Kosovë”. Hulumtimi zbulon se kompania “Pro-Eng”, pronë e familjes së zëvendësministrit Rexhep Kadriu furnizimin me beton për autostradën Prishtinë-Gjilan e bën përmes disa kompanive të nënkontraktuara. Edhe vet Kadriu për “Drejtësia në Kosovë” e ka pranuar se kompania e familjes së tij furnizon me beton kompaninë “Morava-Mont”, e cila furnizon me beton punimet në autostradën Prishtinë- Gjilan. “Kompania “Pro- Eng” është duke bërë furnizimin e kompanisë “Morava-mont” e cila blen beton nga “Pro- Eng” që ka të drejtë çdo kompani të blejë betonin”, thotë Kadriu. Kameramanët e “Drejtësia në Kosovë” kanë filmuar disa herë kamionët e kompanisë së familjes Kadriu tek bartin beton për punimet e autostradës.