Baerbock bën thirrje për më shumë fonde për Irakun

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock përfundoi vizitën katërditore në Irak gjate te ciles bëri thirrje për ofrimin e më shumë fondeve për projektet e ndihmës jashtë shtetit, pavarësisht rezistencës ndaj shpenzimeve të mëdha nga kolegët e saj financiarë, në Berlin.

“Pa mbështetje, Iraku dhe rajoni rrezikojnë të shndërrohen në një peng mes tensioneve gjeopolitike”, tha Baerbock në qytetin jugor të Basrës, duke përmendur krizën klimatike, kërcënimin e terrorizmit dhe sfida të tjera.

“Politika e integruar e sigurisë bëhet me shumë diplomaci dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Por, për këtë duhen edhe mjete financiare”, tha ajo.

Më herët, ministri gjerman i Financave, Christian Lindner shtyu takimin ku do të prezantoheshin shifrat kyçe për buxhetin e vitit 2024, të planifikuar për javën e ardhshme.

Ministritë e tjera kishin paraqitur kërkesa shtesë në vlerë prej 70 miliardë eurosh (74.5 miliardë dollarë), për të cilat Lindner tha se nuk sheh asnjë liri veprimi.

Megjithatë, Baerbock bëri thirrje për një qasje më të integruar ndaj shpenzimeve shtetërore duke shtuar se ajo e kishte diskutuar këtë intensivisht me Lindner.

“Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Gjermanisë e planifikuar nën kujdesin e Ministrisë së Jashtme jo vetëm që do të trajtojë çështjen e financimit më të madh për mbrojtjen, por edhe mbështetjen për misionet ndërkombëtare si në Irak”, tha Baerbock. /atsh