Bamirësi irakian ofron ushqim për të varfrit dhe udhëtarët prej 25 vitesh

Faik Muhammedi, i cili jeton në qytetin Sulaymaniyah të Irakut, ka ofruar çaj dhe ushqim për personat në nevojë dhe udhëtarët prej 25 vitesh.

Irakiani 70-vjeçar Muhammed, i cili kalon pjesën më të madhe të kohës në kuzhinën e tij të bamirësisë në lagjen Sabunkaran të Sulaymaniyah, shpërndan ushqim gjatë gjithë vitit pa ndërprerje.

Në zonën ku jeton i njohur edhe si “Haxhi Faik”, filantropi irakian tha se kur themeloi për herë të parë kuzhinën e tij të bamirësisë, të cilën e quajti “Porta e Mëshirës” 25 vjet më parë, ai fillimisht gatuante me ndihmën e fëmijëve të tij.

Tani që fëmijët e tij janë të zënë me bizneset e tyre, Haxhi Faiku punëson disa punëtorë për të përgatitur dhe shërbyer vakte për ata që vijnë, duke i shpërndarë ato te të varfrit e qytetit.

Haxhi Faiku vazhdon të ofrojë vakte për të varfrit, personat me të ardhura të ulëta dhe udhëtarët në kuzhinën e tij të bamirësisë, për të cilën ai mbulon të gjitha shpenzimet dhe merr përgjegjësi të plotë.

Ata që vijnë në kuzhinë, e cila hapet në orën 6:00 të mëngjesit çdo ditë, mund të hanë vaktet e tyre aty ose t’i marrin me vete ato të paketuara.

Duke folur për Anadolu në lidhje me projektin e kuzhinës bamirëse, Haxhi Faiku tha: “E bleva këtë vend për 80 mijë dollarë atëherë (në vitin 2000) dhe e lashë mënjanë për bamirësi”.

– Çdo ditë përgatitet ushqim për 150 persona

Lidhur me ata që vijnë në kuzhinën bamirëse, Haxhi Faiku thotë se “Të gjithë ata që vijnë këtu janë të varfër dhe në nevojë. Ata pushojnë këtu për pak kohë, hanë, pinë çaj dhe pastaj largohen”.

Ai tregon se çdo ditë përgatitet ushqim për afërsisht 150 persona, por numri i saktë i pjesëmarrësve nuk dihet paraprakisht. “Numri i vizitorëve rritet dhe zvogëlohet çdo ditë. Nuk e dimë se sa do të vijnë. Por, ne përgatisim ushqimin e nevojshëm. Nëse tepron ushqim, ua japim zogjve. Disa ditë nuk mbetet asgjë”, tha ai.

E vendosur në qendër të qytetit, mes ndërtesave tregtare dhe dyqaneve, kuzhina “Porta e Mëshirës” ofron vakte ose çaj për të gjithë pa diskriminim. Kuzhina e Haxhi Faikut, i vetmi vend në zonë që ofron vakte dhe çaj falas, nuk përdoret vetëm nga popullsia vendase.

– “Unë shpenzoj pak nga pak për bamirësi atë që kam, nuk ruaj asgjë”

Në vazhdim Haxhi Faiku thotë se njerëz nga vende dhe rajone të ndryshme gjithashtu plotësojnë nevojat e tyre ushqimore këtu. “Njerëz nga Irani, Siria, Iraku qendror dhe njerëzit e varfër të këtij rajoni vijnë këtu. Ne nuk njohim asnjë prej tyre. Ata vijnë, hanë ushqime, pinë çaj dhe ikin. Të gjithë janë njerëz të varfër. Një person i pasur nuk do të vinte këtu për të ngrënë”, tha ai.

Pasi shtoi se nuk kërkon ndihmë nga asnjë person ose institucion për kuzhinën e tij, Haxhi Faiku tha: “Unë e dua bamirësinë. Shpenzoj pak nga pak për bamirësi atë që kam, nuk ruaj asgjë. Nuk veproj sipas fjalëve të askujt, bëj atë që e di se është e drejtë. Bëj çfarëdo që dëshiron zemra ime”, u shpreh ai.

Haxhi Faiku thekson se ata shërbejnë ushqim vazhdimisht gjatë gjithë vitit. “Nuk ka rëndësi nëse bie borë, shi apo ka përmbytje. Njerëzit vijnë, ulen dhe hanë ushqimet e tyre. Ata vijnë të lagur, por prapë hanë ushqimet e tyre. Kur bie borë, njerëzit pastrojnë borën, ulen dhe hanë ushqimet e tyre”.

Më tej Haxhi Faiku tha se ai së pari ushqen ata që kanë nevojë, të cilët i konsideron mysafirë të tij dhe pastaj ha vetë ushqim i fundit.

– Gjatë muajit të Ramazanit çdo ditë shërbehet ushqim me mish

Haxhi Faiku tha se ata zgjerojnë shërbimet e tyre gjatë muajit të Ramazanit. “Gjatë muajit të Ramazanit çdo ditë shërbehet ushqim me mish. Njerëzit e varfër vijnë këtu dhe marrin ushqim në enë. Ky ushqim është i disponueshëm për të gjithë 30 ditët e Ramazanit”, tha ai.

Haxhi Faiku përmend gjithashtu se ata përgatisin edhe pasta dhe ëmbëlsira të veçanta në Ramazan.

Kamuran Muhammed 55-vjeç i cili vizitoi kuzhinën e bamirësisë dhe hëngri ushqim vetë aty, lidhur me këtë vend tha: “Haxhi Faiku po bën vërtet një akt të mrekullueshëm bamirësie këtu. Ai ka bërë bamirësi dhe vepra të mira që nga vitet 2000. Zoti i dhëntë shëndet dhe ia pranoftë veprat e mira. Vendi i tij qoftë i bekuar. Haxhi Faiku e bën këtë bamirësi vetëm për hir të Zotit dhe e quajti atë ‘Porta e Mëshirës’. Edhe unë vij këtu herë pas here për të ngrënë”, thotë Muhammedi.