Pyetje: Nga ata që hyjnë në Xhenet përmes portës Er-Rejjan cilët janë? A janë ata që vdesin duke qenë agjërueshëm, apo ata që agjërojnë edhe nëse vdesin jo duke agjëruar, apo ata që vdesin në Ramazan?
Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut (a,s), mbi familjen dhe shokët e tij.
Qëllimi me “agjëruesit” këtu janë ata që agjërojnë shumë në këtë botë; nuk është për qëllim ai që vdes duke qenë agjërueshëm, as ai që vdes në muajin Ramazan.
Ahmed el-Kastalani në “Irshad es-Sari” ka thënë: “Në Xhenet është një portë që quhet Er-Rejjan, që është e kundërta e etjes. Këtu ka një përputhje të bukur mes emrit dhe kuptimit të saj, sepse ajo rrjedh nga fjala ‘ngopje me ujë’ (shuarje e etjes), dhe kjo i përshtatet gjendjes së agjëruesve; pasi ata duke e etur veten e tyre në këtë botë, do të hyjnë nga porta Er-Rejjanit që të jenë të sigurt nga etja.”
AbduRauf El-Menavi në “Fajd el-Kadir” ka thënë: “Quhet Er-Rajjan; si emër rrjedh nga ‘ngopja me ujë’. Është një portë prej së cilës agjëruesi do të pijë një pije të pastër para se të arrijë në mesin e Xhenetit, që t’i largohet etja. Këtu ka një përshtatje dhe lidhje të plotë me agjërimin. U përmend ‘ngopja me ujë’ dhe jo ‘ngopja me ushqim’, sepse ajo e nënkupton edhe këtë, ose sepse etja është më e rëndë për agjëruesin se uria. (Prej saj hyjnë) në Xhenet (agjëruesit Ditën e Kiametit), domethënë ata që agjërojnë shumë, që shpirtrat e tyre të zbuten e të përulen. Meqë ata përballuan mundimin e etjes gjatë agjërimit, u veçuan me një portë ku ka ngopje me ujë dhe siguri nga etja para se të vendosen plotësisht në Xhenet; prandaj ajo portë është e veçantë për ta.”
Në “Et-Tejsir Sherh el-Xhami‘ es-Sagir” thuhet: “Prej saj hyjnë në Xhenet (agjëruesit Ditën e Kiametit), domethënë ata që agjërojnë shumë në këtë botë; (dhe nuk hyn prej saj askush tjetër përveç tyre).”
Sherefudin Et-Tibi ka thënë në “Mishkat el-Mesabih”: “Kuptimi është se agjëruesi, duke e etur veten në këtë botë, do të hyjë nga porta Er-Rajjanit për të qenë i sigurt nga etja.”
Allahu e di më së miri.
By: ardhmëriaonline.com








