Ballina Sport Futboll Barça me fitore bindëse kalon në çerekfinale

Barça me fitore bindëse kalon në çerekfinale

Barcelona ka shfaqur futboll të jashtëzakonshëm ndaj Newcastle Unitedit të mërkurën mbrëma dhe ka avancuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Barcelona në “Camp Nou” fitoi me rezultatin 7:2 dhe ka avancuar tutje me rezultatin e përgjithshëm 8:3.

Ndeshja e parë në udhëtim javën e kaluar u mbyll 1:1.

Pjesa e parë ishte më e niveluar dhe përfundoi 3:2 në të mirë të Barcelonës.

Raphinha shënoi për 1:0 me asistim të Fermin Lopezit, ndërsa Anthony Elanga i barazoi shifrat në minutën e 15-të.

Tre minuta më pas, talenti 18-vjeçar Marc Bernal, realizoi për 2:1. Por Newcastle nuk u dorëzua dhe i barazoi shifrat sërish me Elangan, në minutën e 28-të.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, Barcelona fitoi penallti pas rishikimit të situatës në VAR. Ekzekutimin e penalltisë e mori përsipër superylli, Lamine Yamal, që shënoi për 3:2 në minutën e shtatë shtesë të pjesës së parë.

Pjesa e dytë i takoi në tërësi skuadrës “blaugrana”.

Fermin Lopez e shënoi golin e dytë personal në ndeshje në minutën e 51-të, me asistim të Raphinhas. Raphinha në minutën e 56-të asistoi edhe në golin për 5:2 për Robert Lewandowskin, i cili shënoi tjetër gol në minutën e 61-të, me asistim të Lamine Yamalit.

Rezultatin përfundimtar e vendosi braziliani Raphinha, në minutën e 72-të.

Barcelona për shkak të lëndimit në këtë ndeshje e humbi portierin e parë, Joan Garcia. Ai u zëvendësua nga Wojciech Szczesny.

Barcelona në çerekfinale do të përballet me fituesin e ndeshjes Tottenham – Atletico Madrid, që nis në orën 21:00. Ndeshjen e parë në “Wanda Metropolitano”, Atletico e fitoi 5:2.

Çerekfinalet e Ligës së Kampionëve zhvillohen më 7 dhe 8 prill, kurse ato kthyese më 14 dhe 15 prill.