Ankaraja-Seul, gati pakti për një centrali të ri në Sinop
Pas më shumë se një dekade negociatash, Turqia dhe Koreja e Jugut kanë hedhur një hap të ri drejt një partneriteti bërthamor që mund të ndikojë në marrëdhëniet e tyre ekonomike për dekada të tëra.
Marrëveshja e fundit mes dy vendeve rikthen në vëmendje mundësinë e përfshirjes së kompanive koreano-jugore në ndërtimin e centralit të ardhshëm bërthamor turk.
Por a do të arrijë Ankaraja të sigurojë një marrëveshje që i ofron më shumë sesa prodhimin e energjisë elektrike?
Gjatë takimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, me homologun e tij koreano-jugor, Lee Jae Myung, më 3 nëntor në Seul, u nënshkruan katër memorandume mirëkuptimi në fushat e energjisë, financimit bërthamor, minierave, shkencës dhe teknologjisë.
Vëmendjen kryesore e tërhoqi marrëveshja mes kompanisë turke Türkiye Nuclear Energy Inc. (TUNAS) dhe Bankës Koreane të Eksport-Importit (KEXIM), e cila synon të krijojë një kuadër bashkëpunimi për financimin e projekteve bërthamore.
Ky zhvillim ringjalli një mundësi që Ankaraja dhe Seuli e diskutojnë prej vitit 2010: përfshirjen e Koresë së Jugut në ndërtimin e centralit të planifikuar në Sinop.
Turqia ka tashmë në ndërtim centralin Akkuyu, në brigjet mesdhetare, një projekt i zhvilluar nga kompania shtetërore ruse Rosatom.
Përveç Sinopit, Ankaraja parashikon edhe reaktorë të tjerë në Traki, ndaj po kërkon të zgjerojë rrethin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të mos mbështetet vetëm te Moska.
Për Korenë e Jugut, Turqia përfaqëson një treg të rëndësishëm potencial. Seuli ka përvojë në eksportimin e teknologjisë bërthamore, veçanërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku kompanitë koreane ndërtuan katër reaktorët e centralit Barakah, të cilët deri në shtator 2024 kishin hyrë të gjithë në funksionim tregtar.
Marrëveshja parashikon hartimin e modeleve financiare, analizimin e alternativave dhe shqyrtimin e strukturave të mundshme të financimit.
Për këtë qëllim, TUNAS dhe KEXIM do të zhvillojnë konsultime të rregullta përmes një grupi të përbashkët pune.
Por vlera e një projekti të tillë nuk kufizohet vetëm te ndërtimi i reaktorëve. Centralet bërthamore krijojnë marrëdhënie ekonomike që mund të zgjasin për disa dekada, përmes kontratave të mirëmbajtjes, furnizimit me pajisje dhe shërbimeve teknike.
Këto marrëveshje mund të gjenerojnë të ardhura prej dhjetëra miliardë dollarësh gjatë gjithë jetëgjatësisë së centralit.
Për Korenë e Jugut, përfshirja në projektin e Sinopit do të nënkuptonte jo vetëm një kontratë të madhe ndërtimi, por edhe një prani afatgjatë në tregun turk.
Ndërkohë për Ankaranë projekti ofron mundësinë e diversifikimit të partneriteteve bërthamore.
Përvoja me Akkuyun ka treguar se zgjedhja e një partneri të huaj në këtë sektor mund të ndikojë për një kohë shumë të gjatë në marrëdhëniet politike, ekonomike dhe energjetike të vendit.
Prandaj, Turqia synon të sigurojë jo vetëm financim të favorshëm dhe teknologji, por edhe përfshirjen e kompanive vendase dhe zhvillimin e ekspertizës kombëtare. Një nga çështjet vendimtare mbetet pikërisht financimi.
Presidenti Erdogan ka bërë të ditur se vendimi për Sinopin do të varet nga vlerësimet teknike dhe ekonomike, duke përfshirë kostot e ndërtimit, çmimin e prodhimit të energjisë elektrike dhe përfitimet për ekonominë turke.
Një paketë konkurruese financiare mund ta bëjë projektin të realizueshëm, por kushtet e kontratës do të përcaktojnë nëse ai do të jetë vërtet i leverdishëm për Turqinë.
Bashkëpunimi bërthamor mund të shërbejë gjithashtu si pikënisje për marrëdhënie më të gjera industriale dhe teknologjike.
Mundësi të reja bashkëpunimi mund të krijohen në prodhimin e përparuar, gjysmëpërçuesit dhe inteligjencën artificiale.
Dy vendet kanë edhe lidhje historike, që datojnë nga Lufta e Koresë. Ankaraja mbështet diplomatikisht Seulin për çështjet e Gadishullit Korean dhe shpreson në normalizimin e marrëdhënieve mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut. /tesheshi.com/







