Bayerni ende pa fitore këtë vit dhe në kërkim të përgjigjeve

Alaba e Ciro Immobile Champions League andata ottavo di finale Lazio v Bayern Monaco allo stadio Olimpico di Roma. Roma, 23 Febbraio 2021 © Marco Rosi / Fotonotizia

Bayern Munichu nuk ka fituar ende asnjë ndeshje këtë vit. Fuqia bavareze ka parë që epërsia e saj në Bundesligë të zvogëlohet nga katër pikë sa ishte para Kupës së Botës në vetëm një që nga vazhdimi i ligës.

Tri barazime në po aq ndeshje – të gjitha me rezultatin 1:1 – me Leipzigun, Koelnin, pastaj Eintracht Frankfurtit të shtunën, kanë shtuar presionin mbi trajnerin Julian Nagelsmann përpara fazës vendimtare të edicionit. Bayern viziton Mainzin në raundin e tretë të Kupës së Gjermanisë të mërkurën, dy javë para udhëtimit në Paris për t’u përballur me Paris Saint-Germainin në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.

Megjithëse nuk pritej të bënte ndonjë përforcim të mëtejshëm dimëror, Bayerni është afër për të arritur marrëveshje të papritur huazimi për mbrojtësin e krahut të Portugalisë, Joao Cancelo nga Manchester City. Kjo do t’i jepte Bayernit më shumë siguri në mbrojtje dhe një kërcënim shtesë në krahun e majtë të sulmit.

Nuk është hera e parë që Bayerni bie këtë edicion. Në shtator i pati katër ndeshje pa fitore në Bundesligë, por këtë herë ka pak vend për gabime dhe më pak kohë për t’i korrigjuar ato. Bayerni kishte dy javë pushim për t’u rigrupuar pas humbjes 1:0 në Augsburg më 17 shtator. Në atë kohë, Nagelsmann u ftua për diskutime intensive nga eprorët e tij dhe ai përgatiti një analizë të detajuar të të gjithë ekipit. Revista “Kicker” raportoi se lojtarët u mahnitën kur Nagelsmann më vonë vuri në dukje gabimet e tyre individuale në konsultimet personale me secilin. Tani, Nagelsmann po pretendon se lojtarët po bëjnë të njëjtat gabime dhe mungesa e besimit po luan një rol në formën e dobët të këtij viti.

“Kur nuk fiton, besimi nuk është aq i lartë”, tha Nagelsmann. “Ne mund të bëjmë shumë më tepër për të rifituar besimin. Ka shumë gjëra që mund t’i bëjmë më mirë dhe përshpejtimi i lojës është shumë i rëndësishëm”.

Bayern luftoi për të krijuar raste kundër mbrojtjeve të organizuara mirë të Frankfurtit, Koelnit dhe Leipzigut.

“Ne luajmë vetëm përmes krahëve, pothuajse kurrë përmes qendrës”, insistoi Nagelsmann.

Pas barazimit kundër Koelnit – gjithashtu në shtëpi – Nagelsmann tha se shpërqendrimet jashtë fushës, si udhëtimi i kritikuar i Serge Gnabry në “Javën e Modës” në Paris dhe lëndimet e kapitenit të ekipit Manuel Neuer dhe yllit të Senegalit, Sadio Mane, ishin vetëm “justifikime” për formën e dobët të ekipit.

“Ne jemi të gjithë profesionistë, ata duan të fitojnë ndeshje”, tha Nagelsmann.

Para pushimit të zgjatur dimëror të ligës, Bayerni kishte fituar 10 ndeshje rresht në të gjitha garat, duke përfshirë sukseset ndaj Interit dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve.

“Ne nuk po e kemi fuqinë tonë në fushë”, tha kreu i Bayernit, Oliver Kahn. “Do të preferoja të kalonim një fazë të vështirë tani sesa në fund të sezonit. Por sigurisht, ka shumë gjëra në lojë tani. Ne me të vërtetë duhet ta rrisim nivelin e lojës dhe të kthehemi te fitorja në Mainz”.