Bayerni fillon furishëm sezonin e ri – arrin fitore të thellë ndaj Frankfurtit

Bayern Munich ka mposhtur me rezultat të thellë Eintracht Frankfurt.
Ekipi bavarez e ka filluar furishëm sezonin e ri, pasi mposhti 6:1 Frankfurtin.

Vetëm në pjesën e parë gjiganti gjerman tundi rrjetën pesë herë, përcjell lajmi.net.

Serinë e golave e hapi Kimmich, pasi në minutën e 5` shënoi një supergol nga gjuajtja e lirë.

Pas vetëm gjashtë minutash ishte Pavard, që dyfishoi epërsinë për Bayernin.

Në minutën e 29` Mane tundi rrjetën, për të regjistruar golin e dytë zyrtar për bavarzët, pas atij në finale të Superkupës ndaj Leipzig.

Për 4:0 u përkujdes Musiala, në minutën e 35` të ndeshjes.

Golin e pestë e shënoi Gnabry në minutën e 43` të takimit.

Në anën tjetër Frankfurti nuk arriti që assesi të rrezikojë portën e Manuel Neuer.

Kështu pjesa e parë u mbyll 5:0 në favor të Bayernit.

Në pjesë e dytë vendasit ishin më të rrezikshëm, por nuk arritën të bëjnë asgjë. Ata shënuan golin e nderit, pas gabimit nga Neuer, në minutën e 64` me Muanin.

Për rezultatin final të ndeshjes u përkujdes sërish Musiala, i cili shënoi pak minuta pa përfunduar ndeshja.

Me këtë fitore Bayerni merr tri pikët e para në sezonin e ri të Bundesligës.