Komisioni Evropian kritikoi vendimin e Sllovakisë për të vendosur çmime të diferencuara të karburantit për automjetet vendase dhe të huaja, duke e quajtur masën “shumë diskriminuese” dhe të papajtueshme me ligjin e Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu.
Zëdhënësi i KE-së, Ricardo Cardoso tha se Brukseli po monitoron nga afër politikën e miratuar nga qeveria e Robert Fico, e cila përfshin çmime më të larta të dizelit për automjetet me targa të huaja.
“Ne konsiderojmë se kjo masë është shumë diskriminuese dhe kundër ligjit të BE-së” u tha Cardoso gazetarëve gjatë një konference për media. KE-ja i kupton përpjekjet e shteteve anëtare për të mbështetur qytetarët në kohë krize, por masa të tilla nuk duhet të shkelin parimet themelore të BE-së, tha ai.
“Masat nuk duhet të diskriminojnë mbi bazë kombësie, as nuk duhet të cenojnë integritetin e tregut të përbashkët”, shtoi Cardoso. Ai paralajmëroi kundër veprimeve të njëanshme kombëtare, duke theksuar nevojën për koordinim në nivel të bllokut.
“Ne do të ndërmarrim veprimet e duhura ligjore për të siguruar respektimin e kësaj. Në këtë moment, është e rëndësishme që shtetet anëtare të mos veprojnë në mënyrë të njëanshme për çështje të tilla dhe që këto masa të koordinohen”, tha Cardoso.
Qeveria e Sllovakisë i miratoi kufizimet më 18 mars si pjesë e masave emergjente për të adresuar atë që zyrtarët e përshkruan si një situatë në përkeqësim të furnizimit me naftë.
Sipas masave, shitja e dizelit i nënshtrohet racionimit për një periudhë fillestare 30-ditore, me kufizime mbi sasinë që shoferët mund të blejnë në pikat e karburantit. Politika vendos kontroll çmimesh që dallojnë mes automjeteve të regjistruara brenda vendit dhe atyre me targa të huaja.
Pas një mbledhjeje të kabinetit, Fico tha se këto masa janë të nevojshme për të stabilizuar furnizimet dhe për të mbrojtur konsumatorët vendas.



