Bashkimi Evropian dënoi sot miratimin e fundit nga Izraeli të masave që synojnë forcimin e kontrollit në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
“Bashkimi Evropian dënon vendimet e fundit të Kabinetit të Sigurisë së Izraelit për zgjerimin e kontrollit izraelit në Bregun Perëndimor”, tha zëdhënësi Anouar El Anouni gjatë një konference të Komisionit Evropian.
“Ky veprim është një hap tjetër në drejtimin e gabuar, në një kohë kur e gjithë bashkësia ndërkombëtare po bën përpjekje për të zbatuar fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës për Gazën”, shtoi ai.
Ai theksoi se ky vendim do të rrezikojë “status quo-në e ndjeshme të vendeve fetare”.
“Rikujtojmë se aneksimi është i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, prandaj çdo hap konkret i ndërmarrë në atë drejtim do të konsiderohet shkelje e së drejtës ndërkombëtare”, tha El Anouni.
Ai përsëriti gjithashtu “përkushtimin e palëkundur” të bllokut për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete.
“Dua gjithashtu të theksoj këtu se situata në Bregun Perëndimor ka qenë nën vëzhgimin tonë, nën vëzhgimin e BE-së për një kohë të gjatë, duke rikujtuar se masat e paraqitura nga presidentja e Komisionit (Ursula) von der Leyen në fjalimin e fundit për Gjendjen e Bashkimit janë ende në tryezë dhe vijnë gjithashtu si pasojë e veprimeve në Bregun Perëndimor që minojnë zbatueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete”, tha El Anouni.
Duke riafirmuar se masat kundër veprimeve izraelite mbeten në tryezë, ai tha se po ndjekin zhvillimet në terren “me vëmendje të madhe”.
Kabineti i Sigurisë së Izraelit të dielën miratoi masa që synojnë ndryshimin e kornizës ligjore dhe civile në Bregun Perëndimor të pushtuar për të forcuar kontrollin izraelit.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se vendimet përfshijnë shfuqizimin e një ligji që ndalon shitjen e tokës palestineze te hebrenjtë në Bregun Perëndimor, hapjen e regjistrave të pronësisë së tokës dhe transferimin e autoritetit për dhënien e lejeve të ndërtimit në një bllok vendbanimesh kolone në Hebron nga komuna palestineze te administrata civile izraelite.


