Bashkimi Evropian përshëndeti sot njoftimin e SHBA-së për kalimin në fazën e dytë të planit të Gazës, duke thënë se është gati të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e paqes në enklavë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni tha se blloku e mirëpriti planin, i cili u miratua nga Rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, veçanërisht emërimin e një Komiteti Kombëtar Palestinez për administrimin e Gazës me mbështetjen e Autoritetit Palestinez.
“BE-ja është gati të vazhdojë të mbështesë paqen në Gaza, përmes mjeteve të saj humanitare, të sigurisë, diplomatike dhe të bashkëpunimit”, tha El Anouni.
“Ne presim me padurim zbatimin e të gjithë Planit të Paqes, përfshirë çarmatimin e Hamasit, ofrimin e ndihmës humanitare në shkallë të gjerë dhe rindërtimin e Gazës”, shtoi ai.
Të mërkurën, i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff njoftoi se faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit ka filluar si pjesë e planit 20-pikësh të presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Ai tha se faza e dytë krijon një administratë palestineze teknokratike kalimtare në Gaza, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) dhe fillon rindërtimi i Gazës.




