Zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE) kanë thënë se Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015 me rastin e arrestimit të shtetasve të Kosovës, transmeton Anadolu.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha për mediat në Kosovë se arrestimi i fundit nga Serbia i një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është “një shkelje tjetër” e obligimeve të Serbisë të Marrëveshjes për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015.
“Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar që të mos iniciojë hetime penale apo ndjekje penale për krimet që pretendohet se janë kryer në Kosovë, përveç nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet e Kosovës. Juridiksioni mbi pretendimet për krime të luftës dhe vepra të tjera serioze bie mbi institucionet e Kosovës. I bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë zotimet e saj”, tha zyrtari.
Autoritetet serbe kanë kryer disa arrestime të shtetasve kosovarë në territorin e Serbisë, ku së fundmi, më 5 shkurt të këtij viti, arrestuan Mitehat Llozhanin me të hyrë në terrorin serb nga kufiri me Kroacinë, i cili sipas autoriteteve në Beograd, dyshohet për krime kundër popullatës civile.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë kërkoi angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë rast.
Sipas Serbisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ish-ushtrisë Jugosllave”.



