Bashkimi Evropian ka zgjatur mandatin e misionit të saj detar “Aspides” në Detin e Kuq deri më 28 shkurt 2027, njoftoi sot blloku, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Këshilli i BE-së tha se operacioni i nisur në shkurt 2024 për të mbrojtur lirinë e lundrimit do të vazhdojë për dy vjet të tjera. Vendet anëtare ranë dakord të ndajnë 15 milionë euro për të mbuluar kostot e përbashkëta të misionit për periudhën nga 1 marsi 2026 deri më 28 shkurt 2027.
Misioni u krijua në përgjigje të shqetësimeve të shtuara të sigurisë që prekin rrugët e transportit tregtar në rajon. Mandati i tij përfshin mbrojtjen e anijeve dhe sigurimin e kalimit të sigurt nëpër korridoret kryesore detare.
Misioni “Aspides” operon në ujërat ndërkombëtare përgjatë Detit të Kuq dhe zonave përreth, përfshirë Ngushticën Bab el-Mandeb dhe Ngushticën e Hormuzit – dy nga pikat më të rëndësishme strategjike në botë për tregtinë globale.
Me seli në Larisa, misioni komandohet nga kundëradmirali grek Vasileios Gryparis.
Zyrtarët e BE-së thonë se operacioni synon të pengojë sulmet ndaj anijeve tregtare dhe të forcojë sigurinë ndërkombëtare detare në rajon.




