Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mbajtur një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku theksoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe, stabilitetin rajonal dhe bashkëjetesën ndëretnike si elemente kyçe për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, transmeton Anadolu.
Në fjalën e tij para deputetëve, Begaj theksoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke i vlerësuar si shtyllë të rëndësishme të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai po ashtu përmendi edhe rëndësinë e bashkëjetesës ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, të cilën e cilësoi si çështje thelbësore.
“Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend fqinj i afërt, partner i besuar dhe aleat në NATO, por është një prej vendeve me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie tradicionalisht të mira, miqësore dhe intensive”, tha Begaj.
Sipas presidentit shqiptar, marrëdhënia midis dy vendeve është ndërtuar mbi “zgjedhje të vetëdijshme politike, respekt të ndërsjellë, partneritet dhe mbi bindjen se stabiliteti ynë është i përbashkët”.
“Për Shqipërinë, Maqedonia e Veriut është edhe një faktor kyç në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe kohezionit ndëretnik”, shtoi ai.
Në fjalën e tij, ai përmendi edhe agresionin rus ndaj Ukrainës në nivel kontinental dhe rastin e Banjskës në Kosovë në nivel rajonal, duke theksuar se këto tregojnë se liria, paqja, siguria, sovraniteti dhe demokracia janë ende nën kërcënime.
“Rajoni ynë mbetet një prej zonave me ndjeshmëri në treguesit e sigurisë dhe kërcënimeve”, tha ai.
Presidenti shqiptar foli edhe për Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, duke e quajtur një gur themel për rendin kushtetues dhe bashkekzistencën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Ajo marrëveshje, tha ai, dëshmoi se dialogu mund të mposhtë krizën, sado e thellë qoftë ajo dhe se barazia nuk e dobëson shtetin, por e forcon atë.
“Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka qenë, është e do të vijojë të jetë një faktor shtetformues, bashkëpunues, përfshirës, konstruktiv dhe demokratik”, tha ai më tej.
Sipas tij, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe maqedonasit në Shqipëri janë një urë e fortë lidhjeje, miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.



