Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeparlamentari Niko Peleshi dhe kryeministri Edi Rama, kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit me rastin 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, transmeton Anadolu.
Në rrjete sociale Begaj ka shkruar se në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare.
“Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë. Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë”, ka theksuar Begaj.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, sipas njoftimit nga Kuvendi, ka përcjellë urimet e tij me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, “duke shprehur krenarinë dhe respektin për këtë moment historik të kombit shqiptar”.
“Në mesazhin e tij, ai u drejtua motrave dhe vëllezërve në Kosovë me urimet më të përzemërta, duke e cilësuar këtë ditë si një nga aktet më të ndritura në historinë moderne të kombit shqiptar. Kryetari theksoi se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një ditë historike lirie, dinjiteti dhe drejtësie, që simbolizon sakrificën dhe vendosmërinë për shtetndërtim dhe të ardhmen euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.
“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë. Qofsh gjithmonë e lirë dhe e bekuar”, shprehet Peleshi në mesazhin e tij të urimit.
Një mesazh urimi ka publikuar në rrjetet sociale edhe kryeministri Rama, i cili shkruan: “I uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”.
Mesazhe urimi kanë përcjellë edhe zyrtarë të tjerë të Shqipërisë dhe politikanë.
Kosova shënon sot 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, pasi më 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë nga Serbia, duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole të saj.

