Belgjikë, një person mori 8 herë vaksinën në vend të anti-vakserëve, arrestohet në tentimin e 9-të

Në Belgjikë është arrestuar një person, i cili në vend të anti-vakserëve, në këmbim të parave, ka marrë 8 herë vaksinën kundër COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët e vunë re 33-vjeçarin në qytetin Namur teksa tentoi të merrte vaksinën për herë të nëntë, shkruajnë mediat belge.

Personi, emri i të cilit nuk u bë i ditur, merrte 100 deri në 150 euro nga anti-vakserët që donin të merrnin një certifikatë për COVID, e cila kërkohet në këtë vend në hyrje të objekteve si restorante dhe në vend të tyre mori vaksinën.

Thuhet se personi që ka shkuar në pikat e vaksinimit me kartën e identitetit të personit nga i cili ka marrë paratë, është vënë re në qytetin Charleroi, ku ka marrë dy herë vaksinën në një periudhë të shkurtër kohore. Gjatë përpjekjes së radhës për vaksinim u arrestua nga policia civile.

Steven Van Gucht, zëdhënës i qendrës së krizave e formuar nga qeveria belge për epideminë e COVID-19 tha: “Të pakta janë gjasat që shëndeti i personit të jetë në rrezik sepse ka shumë vaksina. Nuk është e vërtetë që me kaq shumë vaksina ai do të mbrohet më mirë nga sëmundja. Është e vështirë për ne të supozojmë në këtë kohë se sa e rrezikshme është ajo që ky njeri e bëri”. /aa