Belgjikë, punonjësit shëndetësorë do të pushohen nga puna nëse nuk vaksinohen

Në Belgjikë është vendosur që duke filluar nga 1 prilli 2022 të pushohen nga puna personeli shëndetësor që nuk vaksinohen kundër COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në shtypin belg, qeveria përgatiti rregulloren që do të detyrojë vaksinimin e personelit shëndetësor.

Sipas kësaj, mes 1 janarit dhe 31 marsit në vitin 2022 do të zbatohet periudhë tranzicioni. Në këtë periudhë, anëtarët e personelit shëndetësor që të mund të punojnë duhet të ofrojnë dëshmi se janë vaksinuar ose teste me rezultat negativ në 72 orët e fundit që të mund të punojnë.

Ata që nuk do të respektojnë këtë nuk do të mund të punojnë dhe do të mund të aplikojnë për përfitime të përkohshme të papunësisë.

Ndërsa duke filluar nga 1 prilli 2022 të gjithë punonjësit shëndetësorë do të detyrohen të vaksinohen. Personeli i shëndetësisë që do të refuzojë vaksinimin kundër COVID-19 do të pushohet nga puna.

Rregullorja pritet këtë javë të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Qeveria belge pritet të marrë një vendim edhe lidhur me masat që u lehtësuan në fillim të verës kundër rasteve në rritje të COVID-19 në javët e fundit. Thuhet se në rend dite janë opsione si detyrim për të punuar nga shtëpia dhe mbyllja e lokaleve të natës.

Në Belgjikë, numri mesatar i rasteve në ditë është aktualisht rreth 10 mijë ndërsa vazhdon të rritet numri i personave të hospitalizuar. Për shkak të rritjes së rasteve, është kërkuar që gjysma e shtretërve të kujdesit intensiv të rezervohen për pacientët me COVID-19. /aa