Ballina Artikuj Bërja e tekbirit me xhemat: Midis akuzës për bidat dhe konfirmimit të...

Bërja e tekbirit me xhemat: Midis akuzës për bidat dhe konfirmimit të një praktike të trashëguar

Kur muslimanët mblidhen nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe jugu, duke kryer një veprim që e trashëguan nga baballarët dhe stërgjyshërit e tyre për tu afruar tek Allahu i Lartësuar, kini kujdes të mos sulmoni me dyshime dhe të nxitoheni me mendime të nxituara për ta quajtur të gabuar, bidat apo devijim. Sepse umeti nuk mund të bashktohet rreth një çështje të devijuar dhe nuk mund të pajtohet mbi bidatin; përkundrazi ju duhet të akuzoni dhe të qortoni veten për dyshimet që hidhni ndaj muslimanëve dhe akuzën – pa asnjë argument – ndaj fesë dhe veprave të baballarëve dhe stërgjyshërve tuaj.

Një shembull i këtillë është sulmi i disa njerëzve ndaj kryerjes së tekbirit me xhemat (njëzëri) pas namazeve të obligueshme, duke i ndaluar njerëzit ta bëjnë një veprim të tillë dhe duke pretenduar se ky veprim është bidat, dhe se çdo bidat është humbje dhe çdo humbje është në zjarr. E vërteta qëndron është se të thuash një gjë të tillë është guxim i tepruar dhe arrogancë në dhënien e fetvasë dhe të thuash për Allahun diçka pa patur kurrfarë dijenie.

Kush i ka thënë këtij personi që akuzon një vepër të trashëguar brez pas brezi dhe që ka një vlerë të madhe në fe: “Kjo është bidat”? Cili është argumenti i tij për këtë? Ai që pretendon një gjë të tillë duhet të sjellë argument, sepse është pretendues. Unë sfidoj që ky pretendues të sjellë ndonjë ajet apo hadith që përcakton se ky lloj tekbiri dhe kjo formë e tij është risi dhe devijim.

Është transmetuar se bërja e tekbirit me xhemat pas namazeve dhe para namazit të Kurban Bajramit ishte praktikë e shokëve të të Dërguarit të Allahut (a.s), dhe është e trashëguar nga umeti, pra është e transmetuar në mënyrë të sigurtë praktikisht. Por a është e dokumentuar nga i Dërguari i Allahut (a.s) ose shokët një mënyrë e caktuar e kryerjes dhe formës që nuk mund të tejkalohet apo ndryshohet? Nuk ka asgjë të tillë, dhe sfidoj që pretenduesi të sjellë ndonjë gjë që tregon këtë.

Nëse nuk ka ndonjë mënyrë të caktuar të përcaktuar për tekbirin, atëherë nuk lejohet të kufizohet në një formë të veçantë dhe të pretendohet se kjo është Sunet, dhe çdo gjë që i kundërvihet është bidat. Tekbiri është një çështje që vjen në formë të përgjithshme, prandaj si mund ta kufizosh atë me atë që nuk është përcaktuar? Dhe si mund të ndalosh diçka që Allahu ose i Dërguari i Tij nuk e kanë ndaluar, dhe që muslimanët nuk e kanë ndaluar?

Disa njerëz pretendojnë ndalimin e kryerjes së tekbirit të përbashkët dhe e quajnë bidat, dhe dihet që bidati është kundër Sunetit. Por cili është Suneti në këtë rast? Suneti nuk përcaktohet nga dyshimet, trillimet apo mendimet paraprake, por nga argumenti dhe transmetimi i sigurtë. Nuk ka asnjë argument për pretendimin e tyre, edhe nëse ai fluturon në ajër apo ecën mbi ujë. Ata kapen fort pas argumentit se një veprim i tillë nuk është transmetuar në ndonjë hadith. Mirëpo ky lloj argumentimi është më i dobët se një fije merimange, sepse mungesa e perceptimit nuk nënkupton mungesën e ekzistencës, e aq më pak kur muslimanët veprojnë ndryshe.

Madje mund të themi se është një veprim i tillë është i dokumentuar në transmetimet që vërtetojnë ligjshmërinë e veprave të trashëguara që kryejnë njerëzit. Është transmetuar se: “Omeri (r.a) bënte tekbir në Mina, dhe njerëzit e xhamisë e dëgjonin dhe përsërisnin, dhe edhe tregtarët e qytetit e përsërisnin deri sa Mina dridhej nga tekbiri.[1] Kjo tregon qartë për bërjen e tekbirit në mënyrë të përbashkët dhe njëzëri.

Hafizi Ibn Haxheri shpjegon: “Kjo tregon se sa i lartë ishte zëri i tyre kur e thërritnin atë të gjithë njëzëri”[2]. E njëjta gjë thuhet nga Hafiz Ajni dhe Sheukani në “Nejlul Eutar”.

Në transmetimin e Bejhakiut transmetohet se: “njerëzit e tregut e dëgjonin dhe përsërisin, deri sa Mina dridhej nga tekbiri.”[3]

Po ashtu transmetohet se: “Ibn Umeri dhe Ebu Hurerja dilnin në treg gjatë dhjetë ditëve të Dhul-Hixhes dhe bënin tekbir, dhe njerëzit e përsërisnin tekbirin bashkë me ta.”[4]

Ibn Ebu Shejbe transmeton: “Një njeri bënte tekbir në xhami, dhe njerëzit e xhamisë dridheshin nga tekbiri i tij; pastaj zëri arrinte tek banorët e luginës deri te El-Ebtah, dhe edhe ata (banorët e luginës) dridheshin nga tekbiri. Dhe gjithë kjo ka origjinën tek një vetëm njeri.”[5]

Imam Maliku transmeton se për tekbirin e ditëve të Teshrikut: “Omeri (r.a) doli ditën pas Ditës së Kurbanit, kur dielli ishte pak i ngritur, dhe bëri tekbir; njerëzit e përsëritën tekbirin e tij. Pastaj doli për herë të dytë atë ditë pas ngritjes së diellit, bëri tekbir, dhe njerëzit përsëri e përsëritën tekbirin e tij. Pastaj doli për herë të tretë kur dielli po perëndonte, bëri tekbir, dhe njerëzit përsëri e përsëritën tekbirin e tij, deri sa tekbiri u bë i lidhur dhe i vazhdueshëm”[6]

Imam Baxhi shpjegon se kjo përfshin të pesë namazet e obligueshme, jo namazet vullnetare, dhe është e lejuar të bëhet tre herë, më shumë ose më pak nuk ka problem.

Imam Shafi’i thotë se “Është e preferueshme të bëhet tekbiri në grupe dhe individualisht në natën e Fitër Bajramit dhe të Kurban Bajramit, për ata që janë në shtëpi, xhami apo treg, duke vazhduar deri sa të dalë imam për namaz.”[7]

Këto transmetime dhe fjalët e imam Malikut dhe imam Shafi’iut – të cilët janë nga imamët e mëdhenj të gjeneratës së parë – mjaftojnë për çdo zemër të shëndoshë dhe mendje të drejtë.

Kjo është një nga ato çështje ku si argument mund të merren për bazë edhe ato argumente me karakter hipotetik, por kur kjo çështje është e argumentuar me argument me karakter kategorik, me transmetim “mutevatir” dhe një praktikë të trashëguar brez pas brezi, atëherë nuk ka asnjë dyshim te legjitimiteti i saj.

Autor: Ahmed Zahir Salim

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Buhariu.

[2] – Fet’hul Bari.

[3] – Sunenul Kubra.

[4] – Buhariu.

[5] – Musannaf.

[6] – Muuata.

[7] – El Umm