Besimi (bindja) në botën tjetër i jep kuptim kësaj bote

Me besimin në botën tjetër (ahiretin) nënkuptojmë besimin në atë që vjen pas vdekjes, në takimin e Allahut xh.sh., llogarinë para Tij, shpërblimin (Xhenetin) dhe ndëshkimin (Xhehenemin) dhe gjithçka tjetër për të cilën na ka njoftuar Ai në Kuran ose përmes Pejgamberit a.s.

Të nderuar vëllezër, siç e dini, besimi në botën tjetër është një prej gjashtë kushteve të imanit (besimit) dhe pa të cilin nuk mund të jemi besimtarë. Ashtu siç ka treguar Muhamedi a.s. kur u pyet nga Xhibrili a.s. për kushtet e imanit: “Më trego për imanin!” Ai (Muhamedi a.s.) tha: “Imani është: të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe të besosh në Kaderin (paracaktimin) e së mirës dhe së keqes.” (Muslimi)

– Përveç besimit, na duhet edhe bindja në botën tjetër

Madje jo vetëm që kërkohet besimi në botën tjetër, por duhet edhe të jemi të bindur fort në të ashtu siç jemi të bindur në Allahun e Madhëruar, sepse Ai e ka krijuar atë botë dhe na ka lajmëruar për të. “Për Allahun, që s’ka tjetër pos Tij, patjetër, Ai do t’ju tubojë në ditën e gjykimit për të cilën gjë nuk ka dyshim. E kush mund të jetë më i vërtetë se Allahu në thënie? (en-Nisa: 87)
Të tillët që janë të bindur për botën tjetër, Allahu xh.sh. në fillim të Kuranit i lavdëroi dhe cilësoi si të udhëzuar dhe të shpëtuar “…dhe të cilët për ahiretin (botën tjetër) janë të bindur. Të tillët janë të udhëzuarit nga Zoti i tyre dhe të tillët janë të shpëtuarit.” (el-Bekare: 4-5)

– Vetëm Dita e Gjykimit e bën serioze jetën e kësaj bote

Allahu tregon se sikur mos të kishte ditë gjykimi, krijimi ynë nuk do të kishte kuptim dhe se është e çuditshme si disa njerëz nuk e besojnë kthimin tek Allahu, gjegjësisht nuk e besojnë botën tjetër!

A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni ju te Ne? … (el-Muminun: 115-117)

E njeriu thotë: “A njëmend, pasi të vdes do të nxirrem i gjallë (do të ringjallem)?” Po, a nuk po mendon njeriu se Ne e krijuam atë më parë kur ai nuk ishte asgjë? Pasha Zotin tënd, Ne do t’i tubojmë (pas ringjalljes) ata bashkë më djajtë dhe do t’i afrojmë ata rreth Xhehenemit, të gjunjëzuar. (Merjem: 66-68)

– Ndikimi i kësaj dite në jetën e besimtarit

Allahu e përmendi ditën e gjykimit në shumë vende në Kuran e, po ashtu, edhe Pejgamberi a.s. në hadithet e tij, sigurisht kjo për shkak të rëndësisë dhe ndikmit të madh që ka bindja në këtë ditë si për botën tjetër, atë ditë kur të ringjallemi, po si edhe për këtë botë në të cilën përkohësisht jetojmë.

Sa bukur e përshkruan Muhamedi a.s. ndikimin që duhet ta ketë besimi në Allahun xh.sh. dhe në botën tjetër kur thotë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le te flasë mirë ose le të heshtë! Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta respektojë fqinjin e tij.
Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta respektojë mysafirin e tij.” (Buhariu dhe Muslimi.)
Pra, besimi që ka Allah dhe ka një botë tjetër ku njeriu do të dalë para Tij për të dhënë llogari, kjo detyrimisht duhet të reflektojë në fjalët dhe sjelljet e tij karshi të tjerëve.
Nuk ka asnjë ligj njerëzor që mund ta bëjë sjelljen e një personi më të mirë dhe më të drejtë sesa bindja në Allahun dhe botën tjetër.

Të marrim disa shembuj:
Cili person është më i kujdesshëm në të folur, a ai që beson se për çdo fjalë ka për të dhënë llogari para Zotit, prandaj ka kujdes që të mos përgojojë, të mos bartë fjalë, të mos shajë e ofendojë, të mos shpifë e akuzojë, të mos gënjejë, apo thejë premtimin e të mos mashtrojë, madje edhe kur askush nuk e sheh apo dëgjon, apo ai i cili nuk beson botën tjetër dhe i ruhet vetëm ligjit të njerëzve në raste të caktuara që të mos pësojë?!
Sikur të ishte bindja siç duhet për botën tjetër, a do t’i kishim gjithë ato fjalë fyese, shpifje e akuza nëpër rrjetet sociale, po edhe në jetën reale?

Sa e sa bamirësia bëhet sot, sa i varfri ndihmohet, sa jetimi strehohet, sa prindi e njeriu respektohet e nderohet, sa borxhliu nga borxhi lirohet, sa falja kërkohet e dhurohet, sa nderi dhe pasuria ruhet, sa obligimi e përgjegjësia kryhet, sa xhelozia, lakmia, urrejtja e armiqësia largohen… me një fjalë, sa fjala e mirë dhe vepra e mirë bëhet e sa fjalët e këqija dhe veprat e liga ndalen, krejt këto duke e pasur parasysh se është një ditë gjykimi, një ditë ku shpresojmë të shpërblehemi për të mirat dhe frikësohemi nga të këqijat tona.

Po ashtu, sa i dobëti i dëmtuar, sa i pavlerësuari si duhet e sa i pafajshmi i akuzuar qetësohet kur e di dhe e kujton se është një botë tjetër ku do të ketë drejtësi absolute, të cilën do ta marrë të mirën që i takon si dhe dëmtuesi i tij do të paguajë për zullumin që bëri…
Një ditë, ku do t’i ngrejë njerëzit në bazë të meritave dhe do t’i ulë ata që u ngritën pa të drejtë në këtë botë. “Ajo (dita e gjykimit) ëshë që rrëzon, është që ngre (lart)”. (el-Vakia: 3)
Në anën tjetër, sa degjenerimi, shfrenimi e lëndimi, tradhtia e të tjera bëhen nën moton “një jetë ke, shijoje”…

Ju ka rastisur të shihni dikë që sa më shumë i kalojnë vitet dhe i afrohet vdekjes, aq më shumë i shton punët e liga, duke thënë dhe ndjekur atë që beson – një jetë kemi, le të kënaqemi…ndërsa në anën tjetër, shohim dikë tjetër i cili sa më shumë që i kalojnë vitet, aq më shumë mundohet t’i shtojë punët e mira, ngase thotë dhe beson në atë që thotë se kjo botë është kalimtare dhe në të fitohet bota tjetër e përjetshme, andaj të mundohem maksimalisht edhe për këtë që më ka mbetur që ta fitojë atë tek e cila po shkoj. Pra, që të dy e kujtojnë vdekjen, mirëpo jo të dy kanë të njëjtat reagime dhe përfundime, ngase i pari po beson se kjo botë është fillimi dhe fundi dhe duhet të shfrytëzojë çfarë t’i vijë në dorë (qoftë edhe duke prekur pasurinë dhe nderin e të tjerëve) para se ta lërë…ndërsa i dyti po beson që fundi i kësaj bote është fillimi i një bote tjetër, prandaj duhet bërë aq sa është e mundur për ta fituar edhe atë…i pari mendon si t’i shfrytëzojë njerëzit, ndërsa i dyti si t’u shërbejë atyre me vepra të mira.. Sa dallim të madh ka mes tyre në perceptim, përjetim dhe veprim.

Nëse dikush thotë, po mirë unë njoh disa që thonë se besojnë botën tjetër, por që janë larg kësaj çfarë po thoni ku qëndron problemi? E vërtetë, ne folëm për bindjen në botën tjetër, pra besimin e thellë dhe me ndjeshmëri të fortë në të, për të cilën jemi të bindur se sa më në nivel që e kemi, aq më të mirë do të jemi, si me Zotin, si me robët e Tij dhe sa më larg saj të jemi, aq më larg nivelit të kërkuar do të jemi.

“Ti pra bëj durim, se premtimi i Allahut është i vërtetë, e kurrsesi mos të të luhasin ty ata të cilët nuk janë të bindur.” (err-RRum: 60)

Nga: Këshilli i Bashkësisë Islame Vushtrri