Besimtarët muslimanë në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Kosovë kanë falur namazin e Fitër Bajramit, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, raporton Anadolu.
Besimtarët muslimanë janë mbledhur nëpër sheshe dha xhami në kryeqytetet e vendeve të rajonit dhe qytetet e tjera, për t’u bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të një ndër festave më të mëdha të fesë islame.
Në Maqedoninë e Veriut, programi qendror u mbajt në xhaminë Mustafë Pasha të Shkupit, ku për shkak të numrit të madh të besimtarëve të pranishëm, përveç hapësirës së brendshme u mbush me besimtarë edhe oborri i xhamisë.
Në programin e organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, para namazin u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.
Programi qendror për faljen e namazit të Bajramit në Shqipëri është mbajtur në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve. Pjesë e programit në Tiranë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja.
Gjithashtu edhe në xhamitë e tjera në Tiranë dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë janë mbajtur programe për Fitër Bajramin.
Edhe besimtarët muslimanë në Kosovë kanë nisur kremtimin e festës së Fitër Bajramit, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Manifestimi qendror për këtë festë në Kosovë u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Falja është udhëhequr nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili me këtë rast përcolli mesazhin tradicional për besimtarët. Pas ceremonisë fetare, Bashkësia Islame e Kosovës do të organizojë pritjen tradicionale të urimeve në selinë e saj në Prishtinë.
Besimtarë të shumtë kanë falur namazin e Bajramit edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në vendet e tjera të rajonit.
Fitër Bajrami konsiderohet një nga festat më të rëndësishme për besimtarët muslimanë, duke simbolizuar faljen, solidaritetin dhe bashkimin familjar. Festa shoqërohet me vizita ndërmjet familjarëve dhe miqve, si dhe me shkëmbim urimesh




