Besnikëri në fisnikëri

Prof. Driton Arifi

“Le t’ia transmetojë (fjalët e mia) ai që është i pranishëm atij që mungon, sepse ndoshta ai që është i pranishëm e përcjell diturinë te dikush që do ta kuptojë më mirë sesa ky që e ka dëgjuar dhe që është i pranishëm!”. (Buhariu: 4406).

Në epokën e shpresës së venitur, e brenda nënqiellit të atdheut tonë, përveç të tjerëve, ishin edhe lapsat e guximshëm të elitës së hoxhallarëve të mirëedukuar, ata që bënë përpjekje të hedhin dritë në rrugën e një populli të molisur nga okupimi shekullor. Për një periudhë të gjatë, ata kishin ngjizur besnikërisht mesazhin e pastër të Islamit, bashkë me thirrjen e popullit tonë për liri. Frymonin me frymën e popullit, dhe dritaren e “Diturisë Islame” veç e kishin hapur për të gjithë njerëzit liridashës që guxonin të shpresonin e të shkruanin për një të ardhme më të mirë për vatanin. Kjo dritare e shpresës, në njërën anë bënte përpjekje për një vetëdijesim e përndritje fetare, ndërsa në anën tjetër hidhte hapa para në rrugën e lirisë.
E, në kapërcyell të këtij shekulli ëndrra jonë për çlirim u bë realitet. Caktimet hyjnore të Zotit tonë qenë mahnitshëm të manifestuara edhe me shkaqet njerëzore, dhe si të tilla e shuan një herë e mirë lakminë e shthurur të një shteti agresor. Që nga ajo periudhë, e cila ishte edhe pikë kthese historike, shkollarët myslimanë dhe lapsat e palodhur të “Diturisë”, por jo vetëm, kuptuan se hojet e zemrës së këtij populli duhej ta vazhdonin mbushjen me mjaltin e këndshëm të Islamit. Dhe, këtë e bënë duke u nisur nga detyrimi parimor ndaj Fjalës Hyjnore, po sigurisht edhe për të dëshmuar para miqve tanë që na dolën në ndihmë, se ky popull për lirinë e fituar ka qenë dhe mbetet gjithmonë më i denji. Kështu pra, në fletat e kësaj reviste u përvijua ai koncept i fesë hyjnore që kristalizonte parimet e besimit në një Zot, që lartësonte harmoninë fetare, po edhe që e rrëfente kujdesin e çiltër për ta ruajtur e kursyer atë nga interpretimet dhe lajthitjet e skajshme që nuk kanë burim të shëndoshë e as autentik.
Tani, kur kemi hyrë në decenien e tretë të këtij shekulli, vërejmë se sfida e edukimit të brezit të ri na thërret për përkushtim, e trendi i nëpërkëmbjes së virtyteve të moralit në shoqëri është kambanë e zhurmshme që bie pa ndalur pranë veshëve tanë. Pastaj, në këtë rend nuk mungon edhe kursi shqetësues i zbrazjes së Kosovës nëpërmes shpërnguljes së pandalshme, pa e harruar edhe kujdesin për ruajtjen e unitetit të myslimanëve. Pa dilemë, krejt këto mbesin kauza fisnike, fetare e kombëtare, njëkohësisht, e që djersën dhe ngjyrën e lapsave tanë në të ardhmen premtojnë se kanë për të na e shpenzuar pa asnjë kursim. Për shqetësimet që i ka kjo shoqëri kemi mjaft çfarë të themi. Edhe ashtu kjo revistë, preokupimet e popullit tonë i mishëroi në vete për dekada me radhë, prandaj sigurisht se do ta thotë fjalën e vet edhe më tutje, sepse inferioritetin e moskokëçarjen për brengat e shoqërisë ne nuk e kishim kurrë në gjen.
“Dituria” jonë do ta përçojë mesazhin e vet, i cili si i tillë bartë vlera për kohën tonë, madje edhe për të ardhmen. Sepse kështu ishte natyra e të gjitha mesazheve të trashëguara nga Muhamedi, a.s., të cilat ndonjëherë edhe dikur vonë u kuptuan. Ai, paqja e Zotit qoftë mbi të, na tha: “Le t’ia transmetojë (fjalët e mia) ai që është i pranishëm atij që mungon, sepse ndoshta ai që është i pranishëm e përcjell diturinë te dikush që do ta kuptojë më mirë sesa ky që e ka dëgjuar dhe që është i pranishëm!”. (Buhariu: 4406).
Në një botë që vrullshëm është nisur drejt braktisjes së leximit, dhe është zhytur në vorbullën e virtuales, kjo revistë, në hapërimin e saj të matur aspiron ta ruajë e të mbledhë rreth vetes çdo dashamir të letrave, veçanërisht atë që mjeshtërinë e penës e të shkrimit e kanë vullnet ta orientojnë kah e mira e përgjithshme.
Mbi të gjitha, siç edhe ka bërë në të kaluarën, kjo tribunë mbarëshqiptare synon ta përhapë atë që e bart si emër, “Dituri”, e cila po qe e dobishme sigurisht se do të jetë edhe “Islame”.
Zotit tonë, në këtë rrugë të dëlirë dhe në këtë amanet të ri, ia kërkojmë ndihmën dhe faqebardhësinë!

Editorial
Dituria Islame 381