Në grafikën e kopertinës së librit “Në sofrën e Hënës” të ideuar nga Kolë Idromeno, para se edhe Edi Rama të lindte, poshtë klerikëve që kanë lidhur njërën dorë me nga një shirit kuq e zi shkruhet:
Nëse rrojmë bashkuar si Shqipëtarë
Po dhe vdekja s’na ndan dot!
Se rrugat fetare qi janë ndarë,
Na bashkojnë ne një Zot.

Kjo është moto e laicizmit, që ka relativizuar dallimet thelbësore doktrinare të besimit në Zot, në emër të bashkimit kombëtar. Pra, duke dashur të zëvendësojë në një farë mënyre doktrinat e ndryshme fetare për Zotin dhe për t’i dhënë bashkimit kombëtar një dimension transcendent fetar, si dje, ashtu edhe sot, i mëshohet me të madhe se të gjithë kemi një Zot.
Jo, ne të gjithë mund të besojmë se ka një Zot, por Ai që ne besojmë nuk është i njëjti, dhe dallimet janë tepër të rëndësishme dhe thelbësore.
Si e besojnë Zotin myslimanët?
Myslimanët e besojnë Zotin një e të vetëm, transcendent, i Cili është Një në qenien e Tij, në cilësitë e Tij dhe në meritën për adhurim. Ai nuk ka shok, nuk ka fëmijë dhe nuk i ngjan asnjë krijese. Ky është monoteizëm absolut, ku Zoti është krejtësisht i ndarë nga krijesa.
Si e besojnë Bektashinjtë Zotin?
Ndonëse deklarojnë besimin në një Zot, doktrina e tyre anon drejt “Vahdetul Vuxhud-it” (Njëshmëria e Qenies), ku Zoti shihet i pranishëm ose i manifestuar në gjithçka (panteizëm/panenteizëm). Karakteristikë specifike është besimi te triniteti simbolik “Allah-Muhamed-Ali”, ku Aliu shihet si manifestimi i dritës hyjnore.
Si e besojnë Zotin katolikët?
Besojnë në një Zot të vetëm, transcendent dhe imanent njëkohësisht, por që ekziston në tre persona (Triniteti): Ati, Biri (Jezu Krishti) dhe Shpirti i Shenjtë. Katolicizmi thekson se këta tre persona janë të njëjtë në substancë, por të ndryshëm në person. Jezusi konsiderohet plotësisht Zot dhe plotësisht njeri.
Si e besojnë Zotin ortodoksët?
Besojnë gjithashtu në një Zot Triun, por me një nuancë doktrinale të ndryshme nga katolikët, sa i përket “procesionit” të Shpirtit të Shenjtë. Sipas ortodoksëve, Shpirti i Shenjtë buron vetëm nga Ati, ndërsa katolikët besojnë se buron nga Ati dhe Biri.
Këto dallime, të paktën mes Islamit dhe të tjerëve, janë thelbësore dhe ndonëse në mjaft pika të tjera mund të pajtohen, siç është krijimi, plotfuqishmëria, gjithëdija, mëshira, drejtësia etj., dallimet përsëri mbeten të pakapërcyeshme. Kështu që vërtet të gjithë besojmë se ka NJË ZOT, por nuk besojmë tek i njëjti Zot.
Tendenca për t’i kapërcyer këto dallime në ligjërimin dhe diskursin e përhapur mes njerëzve, ka përçuar injorancë fetare dhe dyshoj se i ka shërbyer bashkimit kombëtar, por ndërkohë, ka sjellë në jetë një doktrinë sinkretike, që nuk është as Islam e as Krishterim, por një besim i stisur me prapavijë laike dhe nacionaliste.
Që të jemi të bashkuar si shqiptarë, na mjafton ta duam atdheun tonë, t’i duam shqiptarët dhe ta respektojmë njëri-tjetrin si njerëz dhe si bashkatdhetarë që jemi, e që Zoti ka caktuar të jetojmë në një vend, të flasim të njëjtën gjuhë e të ndajmë të njëjtën bukë. Ndërsa pohimi se besojmë te i njëjti Zot, është në fakt fe më vete, që nuk i përket asnjërit prej atyre klerikëve që tregojnë me dorë nga piktura e shëmtuar blasfemike mbi kokat e tyre, që është Zoti imagjinar i piktorit, por jo i Islamit.
Hoxhë Justinian Topulli








