Beteja e komandantëve

Dy ish-eprorët e lartë të UÇK-së, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, do ta sfidojnë veten të enjten, më 3 gusht, ku do të shihet nëse do të arrijnë që ta fitojnë “betejën”, i pari në krye të legjislativit, derisa i dyti në krye të ekzekutivit.

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit janë ato që po ia mundësojnë kandidatit të koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, që ta bëjë tentimin e parë për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Por, në anën tjetër përfaqësuesit e LAA-së po e shohin si shans të fundit të Haradinajt, pasi që, sipas tyre, projekti i PAN-it ka dështuar ende pa filluar.

Ani pse PAN-i me bindje të plotë thotë se do ta formojë Qeverinë më 3 gusht, kur edhe do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, partitë tjera thonë se Haradinaj është në disavantazh për ta formuar Qeverinë.

“Vetëvendosja” thotë se Haradinaj është në disavantazh pas kundërshtimit të LVV-së dhe LAA-së.

E kjo e fundit tashmë është e vendosur që nga ky koalicion nuk do të ketë votë pro Haradinajt.

Kurse njohësit e çështjeve politike avantazh për Haradinajn e shohin shansin e parë për ta formuar Qeverinë, mirëpo thonë se tashmë i rëndësishëm është vetëm formimi i institucioneve.