Beteja në Stamboll po afrohet – zbulohen çmimet e finales së Ligës së Kampionëve

Institucioni më i lartë i futbollit në Evropë, UEFA ka vendosur të mos ndryshojë çmimet e biletave për finalen e Ligës së Kampionëve të këtij viti në Stamboll në krahasim me vitin e kaluar.

Çmimi i biletave për të katër kategoritë është identik me atë në Paris vitin e kaluar kur u përballën Real Madrid dhe Liverpool.

Siç njoftoi UEFA, bileta më e shtrenjtë për ndeshjen që do të luhet më 10 qershor kushton 690 euro, ndërsa më e lira 70 euro.

Të dyja klubet që do të gjenden në finale do të marrin nga 20 mijë bileta, ashtu si vitin e kaluar për ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Olimpik Ataturk” me një kapacitet prej 72 mijë vendesh.

Pas ndeshjeve gjysmëfinale do të dimë se kush do të garojë për trofeun prestigjioz.

Në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Manchester City do të luajë kundër Real Madridit, i cili po mbron titullin, ndërsa Milani dhe Interi do të luftojnë në ndeshjen e dytë./