Biden e uron Vuçiqin për Ditën e Shtetësisë – presidenti amerikan i kërkon njohjen e Kosovës

Me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka pranuar një mesazh urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Presidenti amerikan në letrën e urimit drejtuar homologut serb ka pohuar se pret normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të bazohej edhe në njohjen reciproke.

“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili, siç e dini, besoj se duhet të bazohet në njohjen reciproke. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin në punën me mirëbesim për të arritur këtë qëllim”, shkruan ndër të tjerash në letrën e urimit të të parit të shtetit amerikan, raporton gazeta danas.

Kërkesa erdhi të shtunën, bashkë me urimin për 15 shkurtin – Ditën e Shtetësisë së Republikës së Serbisë.

Megjithatë, presidenti serb gjatë ditës së djeshme ka dhënë një intervistë për mediat serbe, ku ndër të tjerash ka deklaruar se asnjëherë nuk do ta njoh shtetin e Kosovës.

“Unë nuk mendoj se ne duhet ta pranojmë apo njohim pavarësinë [e Kosovës] në asnjë mënyrë, por duhet të punojmë me shqiptarët nga Kosova për bashkëpunim të ndërsjellë. Por, kjo është e pamundur sepse pavarësia është gjithçka për çfarë ata duan të flasin”, ka shtuar Vuçiq.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia pritet që sërish të vazhdojnë dialogun në Bruksel ndërsa për këtë qëllim së fundi diplomatë të huaj kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë.