Bideni nuk tërhiqet: “Putini nuk duhet të mbetet në pushtet”

Presidenti amerikan, Joe Biden, thotë se ai nuk po tërhiqet nga komentet e tij se homologu rus, Vladimir Putin, nuk mund të mbetet në pushtet.

“Unë nuk tërheq asnjë fjalë”, deklaroi Bideni të hënën në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se nuk po shprehte ndryshim të politikës, por një opinion bazuar në emocionet e tij të asaj dite. “Po shprehja zemërimin moral që ndjeva ndaj mënyrës se si po sillet Putini dhe veprimeve të këtij njeriu”.

“Unë sapo po kthehesha nga takimi me ato familje”, tha ai, duke iu referuar refugjatëve ukrainas në Varshavë. “Unë nuk kërkoj falje për këtë”.

Bideni vazhdoi: “Unë po shprehja vetëm atë që thashë – po shprehja zemërimin moral që ndjeva ndaj këtij njeriu. Unë nuk po artikuloja një ndryshim politikash. Dhe unë mendoj se ju e dini, nëse ai vazhdon në këtë kurs, do të izolohet në mbarë botën dhe kush e di se çfarë mund të bëhet në vend për sa i përket mbështetjes”.

Presidenti amerikan hodhi poshtë sugjerimin se komentet e tij mund të përshkallëzojnë konfliktin në Ukrainë, duke u thënë gazetarëve: “Jo, nuk jam”.

“NATO-ja, kurrë, kurrë, kurrë, nuk ka qenë më e fortë”

Bideni tha se sugjerimi se liderët e tjerë mund të kundërshtojnë komentet e pashkruara të Bidenit gjatë fjalimit të tij në Poloni nuk ka rezultuar dhe as nuk e ka dobësuar NATO-n.

“NATO-ja kurrë, kurrë, kurrë, kurrë, kurrë nuk ka qenë aq e fortë sa është sot”, tha Bideni.

Kremlini e ka hedhur poshtë deklaratën e Bidenit, duke theksuar se është në duar të votuesve rusë që të vendosin për presidentin e tyre.

“Nuk më intereson se çfarë mendon ai. Ai do të bëjë atë që do të bëjë”, tha Bideni kur u pyet nga një gazetar nëse ishte i shqetësuar se Putini do ta shihte vërejtjen si përshkallëzuese.

Bideni tha se ishte skeptik se Putini mund të ndikohej nga ndonjë ngjarje e jashtme, përfshirë vërejtjen e tij.

“Duke pasur parasysh sjelljen e tij të fundit, njerëzit duhet të kuptojnë se ai do të bëjë atë që ai mendon se duhet të bëjë”, tha Bideni në Shtëpinë e Bardhë. “Ai nuk është i prekur nga askush tjetër, duke përfshirë, për fat të keq, këshilltarët e tij. Ky është një njeri që shkon në ritmin e bateristit të tij. Dhe ideja se ai do të bëjë diçka të egër, sepse e thirra për atë që ishte dhe çfarë. Unë mendoj se ai po bën atë që nuk është racionale”.

Bideni tha se po fliste me popullin rus kur bëri vërejtjen e hapur se Putini “nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

“Unë po flisja me popullin rus”, tha Bideni, kur u pyet të hënën nga Kaitlan Collins i televizionit CNN.

“Pjesa e fundit e fjalimit ishte biseda me popullin rus”, tha ai. “Unë po ia komunikoja këtë jo vetëm popullit rus, por gjithë botës. Kjo është, kjo është vetëm një fakt i thjeshtë se kjo lloj sjelljeje është krejtësisht e papranueshme. Krejtësisht e papranueshme. Dhe mënyra për ta trajtuar atë është të forcojmë dhe mbajmë NATO-n plotësisht të bashkuar dhe të ndihmojmë Ukrainën ku të mundemi”.

Rusia i do dy Ukraina si dy Koreja

Në Ukrainë kanë vazhduar bombardimet e lagjeve periferike të Kievit edhe të hënën, derisa Ukraina ka bërë të ditur se forcat po mundohen të krijojnë të rrethojnë tërësisht kryeqytetin që të mos lejohet furnizimi i qytetarëve.

Rusia ka vazhduar sulmet me raketa edhe në fundjavë, duke shënjestruar qytetet më të mëdha, ka konfirmuar një këshilltar i presidentit Volodymir Zelenskyy.

Vetë lideri ukrainas ka konfirmuar se është i gatshëm të pranojë statusin e shtetit neutral si pjesë të marrëveshjes eventuale të paqes me Rusinë, por ka ngulmuar se ujdia duhet të hidhet paraprakisht në referendum popullor. Ai ka thënë se mund të lëshojë edhe për Donbasin, rajonin që kontrollohet pjesërisht nga separatistët prorusë.

Rusia ndërkaq po synon që ta ndajë Ukrainën në dy pjesë, duke ndjekur modelin korean të krijimit të dy shteteve, ka thënë shefi i inteligjencës ukrainase. Ai ka thënë se ky plan është hartuar pas dështimit të strategjisë fillestare ruse për ta rrëzuar Kievin dhe rrëzuar Qeverinë demokratike të Zelenskyyt.

Persekutimi i shtypit të lirë

Njëherësh, gazeta e pavarur ruse, “Novaya Gazeta”, ka marrë vendim që të mbyllet deri të përfundojë lufta në Ukrainë. Vendimi vjen pas zhvillimit të intervistës me presidentin Zelenskyy.

Njëherësh po vazhdojnë përpjekjet për kthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve. Rusia dhe Ukraina kanë konfirmuar se të martën do të takohen përfaqësuesit e tyre diplomatikë në Stamboll pas nismës së re turke për ndërmjetësim.

Kryetari i Mariupolit ka thënë se vendi është në prag të katastrofës së madhe humanitare nëse urgjentisht nuk sillen ndihma. Zelenskyy ka thënë se u ka thënë luftëtarëve ukrainas të dorëzohen, porse ata janë të gatshëm të luftojnë deri në vdekje rrethimin rus.

Rusia po mundohet të përqendrojë sulmet e saj në rajonin lindor, ku ka një pjesë të kontrollit. Ukrainasit e shohin këtë si shenjë të dështimit të Rusisë për ta pushtuar shpejt Ukrainën.

Mariupoli sipas televizionit shtetëror rus

Televizioni shtetëror rus të hënën pasqyroi shkatërrimin e gjerë në qytetin ukrainas të Mariupolit, si dhe makina të rreshtuara për t’u larguar nga qyteti. Një banore vendase tha se ndërsa banesa e saj ishte goditur nga granatimet, makina e saj elektrike “Tesla” ishte shkatërruar. Duke pritur në radhë, ajo tha se kishte bateri të mjaftueshme për të udhëtuar 400 kilometra. Ndërkohë në Volnovakha, një grua e moshuar ishte e shqetësuar teksa i tregoi transmetuesit shtetëror rus për granatimet e ndërtesave në zonën e saj lokale. Një zëdhënës i forcave separatiste në Donjeck tha se ushtria ukrainase kishte vazhduar të bombardonte Donjeckun në zonat e kontrolluara nga rebelët, duke përdorur raketa të shumta dhe artileri të rëndë.

Kryetari i qytetit ukrainas Irpin, afër kryeqytetit Kiev, pretendoi të hënën se qyteti ishte “çliruar” nga trupat ruse.

“Sot ne kemi çliruar Irpinin”, tha Oleksandr Markushyn në një videoadresim të postuar në Facebook. “Tani po kryejmë një operacion pastrimi”. Në fjalimin e tij, Markushyn tha se njerëzit nuk duhet të kthehen në qytet pasi “nuk ishte ende i sigurt” dhe ai priste sulme të mëtejshme. Ai shtoi se forcat ukrainase do të lëvizin më pas për të çliruar qytete të tjera pranë Kievit, duke përfshirë Bucha, Hostomel, Vorzel. /koha