Bie kulmi i objektit të Komunës së re në Prishtinë, Policia jep detaje

Erërat e forta gjatë ditës së sotme kanë bërë që kulmi i ndërtesës së Komunës së re të Prishtinës, në lagjen Arbëria të bie në tokë.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha për teve1.info se Policia ka dalë mennjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është raportuar për një person të lënduar.

“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha ai