Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Bijën e kam nën rrënoja”: Kaosi në Teheran teksa rritet numri i...

“Bijën e kam nën rrënoja”: Kaosi në Teheran teksa rritet numri i viktimave civile nga sulmet

Ndërsa Irani përballet me një valë sulmesh nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, civilët po paguajnë çmimin më të rëndë. Sulmet në zona të banuara kanë lënë pas dhjetëra viktima, familje të shkatërruara dhe një ndjenjë të thellë pasigurie. Mes rrënojave dhe mungesës së mbrojtjes, jeta e përditshme është kthyer në një luftë të vazhdueshme për mbijetesë.

Një nënë qëndron pranë rrënojave, duke qarë për vajzën e saj. Për ditë me radhë, ajo ka pritur që punëtorët e shpëtimit të gërmojnë në mbetjet e asaj që dikur ishte apartamenti i vajzës së saj në Resalat, një lagje banimi në lindje të Teheranit.

“Nuk kanë mjaftueshëm personel për ta nxjerrë”, thotë gruaja.
“Vajza ime është nën rrënoja… i frikësohet territ”.

Që një muaj, Irani është në luftë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, të cilët kanë kryer sulme në të gjithë vendin ndaj objektivave të lidhura me regjimin.

Por këto sulme kanë gjithashtu një ndikim shkatërrues mbi civilët që jetojnë pranë tyre.

Tani ata janë kapur midis bombardimeve nga ajri dhe një regjimi represiv, i cili reagoi ndaj protestave antiqeveritare me një shtypje vdekjeprurëse në janar.

Që nga fillimi i luftës, BBC Eye ka mbledhur materiale ekskluzive nga gazetarë të pavarur brenda Teheranit.

BBC zakonisht nuk lejohet të hyjë në Iran dhe nuk ka pasur qasje që nga fillimi i luftës, por, ka mbledhur dëshmi, ka filmuar pasojat e sulmeve dhe ka analizuar pamje nga rrjetet sociale dhe imazhe satelitore.

Analiza e këtij mediumi  tregon se ka pasur një seri sulmesh ndaj objektivave të lidhura me shtetin, të vendosura brenda lagjeve civile në Teheran, me pasoja fatale për ata që jetojnë rreth tyre.

“Nuk kam më asgjë”

Dhjetëra familje jetonin në ndërtesën me shumë kate në Resalat para se ajo të shkatërrohej nga një sulm ajror izraelit më 9 mars.

Gruaja e ngujuar nën rrënoja jetonte në kompleks bashkë me burrin dhe vajzën e saj të vogël.

Disa ditë pas sulmit, ajo dhe vajza e saj u gjetën të vdekura nën rrënoja. Burri mbijetoi.

Një ndërtesë tjetër apartamentesh, përballë rrugës, u shkatërrua gjithashtu në sulm.

Një burrë 55-vjeçar që jetonte aty tha se sulmi ishte “shumë i papritur” dhe ai u “hodh përmes dhomës”.

Ai thotë se gjithçka që zotëron tani është nën mbeturina.

“Nuk kam më asgjë… Të gjitha dokumentet, gjithçka, janë zhdukur”.

Autoritetet lokale dhe banorët thonë se midis 40 dhe 50 persona humbën jetën në këtë sulm të vetëm.

Ata që mbetën pa strehë po qëndrojnë përkohësisht në një hotel afër.

“Kjo ishte jeta jonë,” shton burri.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit i thanë BBC World Service se kishin synuar një ndërtesë ushtarake të përdorur nga Basij, një forcë paramilitare e lidhur me Gardat Revolucionare të Iranit.

Por analiza e pasojave sugjeron se ndikimi shtrihej shumë më gjerë se ai objektiv i vetëm.
Imazhet satelitore të marra disa ditë pas sulmit tregojnë të paktën katër ndërtesa të shkatërruara në një seri të shpejtë.

Ndërsa njëra ishte e njohur të ishte e lidhur me Basij, strukturat përreth dukeshin të banueshme.
Pamjet nga vendi, të verifikuara nga BBC Eye, tregojnë shkatërrim të gjerë në gjithë lagjen. Analiza tregon se ndërtesat deri në 65 metra larg u dëmtuan rëndë nga shpërthimi.

Banorët gjithashtu përshkruajnë shpërthime të shumta brenda sekondash nga njëra-tjetra.
“Goditën tri herë”, thotë një i mbijetuar.

“Ndoshta tre ose pesë sekonda midis tyre… U përpoqa të ngrihem, por rrënojat ranë mbi kokën time”.
Ekspertë ushtarakë i thanë BBC Eye se forca ajrore izraelite ndoshta po përdor bomba veçanërisht të mëdha në Teheran nga seria Mark 80, të cilat shpesh pajisen me sisteme udhëzimi precize.
Ata shtuan se shkalla dhe përhapja e dëmtimit të vërejtur në Resalat është në përputhje me përdorimin e Mark 84, më e madhja e serisë, që peshon 2.000 lb.

Bomba të paprekura që përputhen me këto lloje janë fotografuar në qytet.

OKB-ja më parë ka bërë thirrje që vendet dhe grupet e armatosura në luftë të shmangin përdorimin e bombave të fuqishme në zona të banuara, për shkak të rrezikut për jetën e civilëve.
BBC Eye ka biseduar me dy ekspertë ndërkombëtarë të së drejtës humanitare, të cilët besojnë se përdorimi i një bombe të tillë të rëndë në një zonë me dendësi të lartë banimi do të ishte disproporcionale, duke konsideruar dëm potencial ndaj civilëve, dhe mund të jetë i paligjshëm.
Resalat nuk është një rast i izoluar.

Që nga fillimi i konfliktit, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se kishin hedhur mbi 12.000 bomba në të gjithë Iran dhe 3.600 bomba vetëm në Teheran.

Komanda Qendrore e SHBA-së thotë se ka goditur më shumë se 9.000 objektiva në të gjithë Iranin.
Shpesh, këto objektiva ndodhen brenda lagjeve të mbushura me civilë, ku jeta e përditshme vazhdon mes shtëpive, dyqaneve dhe rrugëve të frekuentuara.

“Gjithçka ndodh brenda sekondash”

Më 1 mars, një sulm izraelit goditi stacionin policor Abbasabad pranë sheshit Niloufar, në një moment kur familjet ishin mbledhur pasi kishin prishur agjërimin e Ramazani. Atmosfera e zakonshme e mbrëmjes u kthye brenda sekondash në panik dhe kaos.

Dëshmitarët okularë tregojnë se panë të paktën 20 persona të vrarë, megjithëse BBC nuk e ka konfirmuar këtë shifër. Ata përshkruajnë një “dritë të tmerrshme”, që ndriçoi qiellin për një çast, e ndjekur menjëherë nga disa shpërthime të fuqishme që tronditën zonën.

“Dolëm me vrap në rrugë”, tha një burrë.
“Një burrë dhe një grua sapo kishin dalë nga një dyqan… u goditën menjëherë, pa pasur asnjë mundësi të reagojnë.”

Banorët raportuan se goditjet ndodhën në seri, njëra pas tjetrës, mbi të njëjtin objektiv. “Nuk kaluan as dy minuta”, tha një tjetër dëshmitar. “Kur u kthyem, goditën përsëri, sikur gjithçka po përsëritej”.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit konfirmuan përgjegjësinë për sulmin, duke deklaruar se kishin “goditur një objektiv ushtarak”.

Megjithatë, analiza e BBC Eye mbi zonën e shpërthimit sugjeron se, ashtu si në rastin e Resalatit, dëmet nuk u kufizuan vetëm te objekti i synuar, por u përhapën shumë më gjerë në zonën përreth, duke prekur ndërtesa dhe hapësira civile.

Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, të gjitha palët në konflikt janë të detyruara të bëjnë një dallim të qartë midis objekteve civile dhe objektivave ushtarake. Çdo veprim ushtarak duhet të vlerësojë me kujdes raportin mes përfitimit ushtarak dhe dëmit të mundshëm ndaj civilëve. Dëmi i pritshëm ndaj njerëzve apo ndërtesave civile duhet të jetë proporcional me përfitimin e pritur nga sulmi.

Po ashtu, rregullat kërkojnë që palët të shmangin, sa të jetë e mundur, vendosjen e objektivave ushtarake brenda ose pranë zonave me popullsi të dendur, pikërisht për të reduktuar rrezikun për civilët.

Agjencia me bazë në SHBA, Human Rights Activists News Agency, raporton se 1.464 civilë, përfshirë të paktën 217 fëmijë, janë vrarë në Iran gjatë muajit të parë të konflikti,  një shifër që pasqyron përmasat e rënda të krizës humanitare.

Banorët i thanë BBC Eye se sulmet që godasin zonat e banuara rrezikojnë të thellojnë ndjeshëm pakënaqësinë dhe zemërimin, madje edhe tek ata që më parë kishin qenë kritikë ndaj regjimit iranian.
BBC kërkoi një përgjigje nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit për incidentet e përfshira në këtë raport. Ato konfirmuan sulmet, por nuk dhanë komente të mëtejshme. Departamenti i Mbrojtjes i Shtetet e Bashkuara nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Nga ana tjetër, edhe Irani ka kryer sulme ndaj infrastrukturës civile dhe ndërtesave të banimit në vendet fqinje gjatë luftës, përfshirë aeroporte dhe hotele, veçanërisht në vendet e Gjirit të lidhura me Shtetet e Bashkuara.

Në Teheran, shumë banorë kritikuan autoritetet për mënyrën se si po e përballojnë situatën e luftës. Ata i thanë BBC-së se mungojnë dukshëm masat bazë të sigurisë, si strehimore publike, mbështetje për evakuim apo strehim i përkohshëm për ata që kanë mbetur pa shtëpi.

Disa nga personat e intervistuar thanë se nuk kishin marrë asnjë udhëzim të qartë se ku të shkonin apo si të mbroheshin gjatë sulmeve.

“Nuk ka sirena, nuk ka paralajmërime”, tha një banor. “Thjesht dëgjon shpërthimin – dhe gjithçka ndodh brenda sekondash”.

Në mungesë të komunikimit të qartë dhe mes një ndërprerjeje të vazhdueshme të internetit, shumë prej tyre përshkruajnë një ndjenjë të thellë pasigurie dhe ekspozimi, pa ditur se kur ose ku mund të godasë sulmi i radhës.

Qeveria iraniane nuk ka bërë publike ndonjë plan të detajuar kombëtar për mbrojtjen civile si përgjigje ndaj këtyre sulmeve.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli thonë se po synojnë infrastrukturën shtetërore të Iran. Por në një qytet ku kjo infrastrukturë ndodhet pranë shtëpive, dyqaneve dhe shkollave, pasojat nuk kufizohen vetëm te objektivat e shpallura – ato prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të njerëzve.

Për ata që po e jetojnë këtë realitet, kjo nuk është thjesht një luftë në distancë apo një çështje strategjike. Është një përvojë e përditshme e humbjes dhe pasigurisë, ku shtëpitë shkatërrohen, familjet ndahen dhe rritet dita-ditës ndjenja e rëndë se askund nuk ka më siguri.

Përktheu: Blerta Haxhiu/koha