Biopsia e mëlçisë: A është e dhimbshme kjo procedurë dhe kujt i nevojitet më shpesh

Biopsia e mëlçisë është një procedurë për marrjen e mostrës së indit nga mëlçia, të cilën një patolog do ta studiojë nën një mikroskop

Analiza e mostrës mund të zbulojë informacione për gjendjen e mëlçisë që shpesh është shpëtimtare për jetën e njeriut.

Çfarë është biopsia e mëlçisë?

Biopsia e mëlçisë është një procedurë joinvazive për marrjen e një kampioni të vogël të indit nga mëlçia me një gjilpërë me zgavër. Profesionistët e kujdesit shëndetësor mund ta kryejnë atë në disa mënyra, në varësi të gjendjes së pacientit dhe arsyes së biopsisë.

Pas procedurës së marrjes së mostrave, patologu analizon mostrën e indeve në një laborator për të ndihmuar në diagnostikimin dhe përcaktimin e fazës së sëmundjeve të ndryshme të mëlçisë ose të një organi tjetër.

Në cilat raste është e nevojshme biopsia e mëlçisë?

Arsyet për një biopsi të mëlçisë janë kryesisht diagnostike. Biopsia e mëlçisë është provuar të jetë standardi i artë për diagnostikimin e shumë sëmundjeve dhe kontrollin e lezioneve të mëlçisë që testet e tjera mund të sugjerojnë, por nuk mund t’i konfirmojnë.

Biopsi mund të konfirmojë ose refuzojë përfundimisht dyshimet për sëmundje të ndryshme. Dhe ndonjëherë kjo është e vetmja mënyrë.

Gjithashtu, mund të jetë e nevojshme të kryhet një biopsi e mëlçisë për të vlerësuar nëse dhe si po përparon një sëmundje kronike e mëlçisë.

Kjo metodë mund të përcaktojë nivelin e fibrozës (formimit të indeve mbresore) në mëlçi dhe të ofrojë një vlerësim të ashpërsisë, përkatësisht stadit të dëmtimit. Kjo ndihmon në parashikimin e prognozës, informimin më të mirë të pacientit për planin e trajtimit dhe vlerësimin më të saktë nëse metoda e zgjedhur e trajtimit po funksionon, transmeton Telegrafi.

Për çfarë sëmundjesh mund të tregojë biopsia e mëlçisë?

Biopsia e mëlçisë mund të ndihmojë në diagnostikimin e disa gjendjeve të mëlçisë, si:

▪ Mëlçia e yndyrshme
▪ Hepatiti kronik
▪ Cirroza e mëlçisë
▪ Kanceri i mëlçisë

Gjithashtu mund të tregojë shkaktarë të veçantë apo lloje të caktuara të sëmundjeve të mëlçisë, si:

▪ Sëmundja alkoolike e mëlçisë
▪ Hepatiti autoimun
▪ Sëmundja e grumbullimit të glikogjenit
▪ Hemokromatoza
▪ Karcinoma hepatocelulare
▪ Limfoma Hodgkin
▪ Kancer metastatik (që është shpërndarë nga një organ tjetër)
▪ Sëmundja jo-alkoolike e mëlçisë së yndyrshme
▪ Limfoma jo-Hodgkin
▪ Kolangiti biliar primar
▪ Kolangiti sklerozues primar
▪ Hepatiti toksik
▪ Tuberkulozi
▪ Sëmundja e Wilson-it
▪ Hepatiti viral (B apo C)

Cilat janë llojet më të zakonshme të biopsisë së mëlçisë?

Ekzistojnë tri lloje të procedurave të biopsisë së mëlçisë:

▪ Biopsia perkutane (nëpërmjet lëkurës) – më pak invazive
▪ Biopsia transvenoze (transjugulare) – përdoret kur pacienti ka çrregullime të koagulimit ose sasi të tepërt të lëngjeve në bark
▪ Biopsia kirurgjikale – realizohet gjatë një operacioni tjetër abdominal

Në varësi të llojit të procedurës dhe gjendjes së pacientit, merret vendimi për përdorimin e anestezisë apo të qetësuesve.

Për të përcaktuar me saktësi vendin ku do të merret mostër, mjeku përdor ultrazë apo kontrollon me palpim. Bëhet një prerje e vogël në anën e djathtë të pjesës së poshtme të kraharorit dhe futet gjilpëra për biopsi. Gjatë marrjes së mostrës, pacienti do të kërkohet të ndalojë frymëmarrjen për një moment.

Sa zgjat biopsia e mëlçisë dhe a është e dhimbshme?

Procedura perkutane zgjat rreth 15 deri në 30 minuta, ndërsa ajo transvenoze 30 deri në 60 minuta. Pas ndërhyrjes, pacienti qëndron në spital nën vëzhgim për disa orë.

Shkalla më e lartë e dhimbjes zakonisht ndodh gjatë aplikimit të anestetikut lokal, i cili mpin vendin ku do të futet gjilpëra. Vetë biopsia nuk duhet të jetë e dhimbshme, megjithëse mund të ndjehet një presion ose shqetësim i lehtë.

Sa e rrezikshme është kjo procedurë?

Biopsia e mëlçisë është një procedurë e zakonshme dhe përgjithësisht e sigurt kur realizohet nga një profesionist me përvojë. Komplikimet serioze janë të rralla. Komplikimet më të shpeshta janë dhimbja e përkohshme dhe ulja e tensionit të gjakut. Rreziku për komplikime të rënda që kërcënojnë jetën vlerësohet të jetë rreth 0.1%.

Komplikimet më të zakonshme:

▪ Dhimbja është alarm nëse zgjat pas procedurës apo përkeqësohet
▪ Tensioni i ulët i gjakut

Komplikime të rralla, por serioze përfshijnë:

▪ Gjakderdhje e brendshme
▪ Infeksion
▪ Rrjedhje e tëmthit
▪ Pneumotoraks (prani ajri në kraharor)

Sa zgjat rikuperimi?

Rekomandohet pushim për rreth 7 ditë. Duhet të shmangni ushtrimet fizike dhe ngritjen e peshave. Është e rëndësishme që plaga në vendin e prerjes të mbahet e pastër dhe e dezinfektuar. Në vendin e ndërhyrjes mund të mbetet një mbresë e vogël (cikatrice).