Bisedime Kinë-SHBA pavarësisht tensioneve

ATSH-AFP/ – Ministri amerikan i Mbrotjes, Jim Mattis u takua sot në Pekin me homologun kinez, Wei Fenghe në përpjekje për të gjetur terrene bashkëpunimi pavarësisht tensioneve të ashpra diplomatike dhe ushtarake mes dy fuqive dhe pretendimeve të gjigantit aziatik në Detin e Kinës së Jugut.

Në udhëtimin e parë të një ministri amerikan të Mbrojtjes në Kinë që prej vitit 2014, Mattis u prit në selinë e Ushtrisë Çlirimtare Popullore (APL) me një nderime të mëdha dhe me një orkestër që luajti himnet e dy shteteve.

Ministri kinez i Mbrojtjes, Wei Fenghe përshëndeti një vizitë vendimtare për rritjen e besimit strategjik dypalësh duke theksuar se mendimet e Mattis kishin peshë në rrethet diplomatike dhe ushtarake të Uashingtonit.

Kreu i Pentagonit do të takohet edhe me presidentin kinez, Xi Jinping.

Takimi në Pekin me homologun, Wei Fenghe, i cili mban këtë post që prej fillimit të vitit, ndodhi në sfondin e rritjes së tensioneve mes Uashingtonit dhe Kinës.

Kina vendosi në fillim të majit, sipas Uashingtonit, armatime që përfshijnë bateri raketash dhe sisteme elektronike për zhurmat në ishujt e Detit të Kinës Jugore, një vendim i destinuar për të mbështetur pretendimet territoriale në këtë zonë detare.