Bislimi: Me Serbinë nuk nënshkruajmë asnjë dokument në kundërshtim me interesat e Kosovës

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi ka thënë se me Serbinë nuk do të nënshkruajnë asnjë marrëveshje që është në kundërshtim me interesat e Kosovës.

Bislimi në një deklaratë për Rajonpress theksoi se koha e përfundimit të dialogu nuk varet vetëm prej tyre.

“Nuk mund ta prejudikojë kohëzgjatjen e dialogut, por do të ishte ideale që brenda dy viteve të përfundojë kjo rrugë e gjatë dhe e mundimshme”, tha Bislimi.

Sipas tij, ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se Kosova nuk shkon në këto bisedime që të dialogojë për njohje, por synojnë të arrijnë një marrëveshje të përgjithshme me palën serbe, ku njohja reciproke është në qendër të marrëveshjes.

“Edhe vet z. Lajçak është i interesuar që të shpejtojë procesin e dialogut dhe mos harroni se ka pak diplomat në BE që gëzojnë respekt më shumë se Lajçak dhe jam i lumtur që pritjet e Lajçakut nga epilogu i dialogut janë të përafërta me tonat. Po ashtu nuk shohim dallime as në raport me Gabriel Eskobarin i cili është i kyçur drejtpërdrejtë në procesin e dialogut”, u shpreh Bislimi.

“Ne nuk po negociojmë për njohje siç e thash më herët, por për një marrëveshje të përgjithshme me Serbinë, ku njohja është në qendër të marrëveshjes, meqë ne po synojmë normalizimin e raporteve me shtetin fqinjë. E keni parë edhe vet që nuk ka pasur ndonjë deklaratë të Lajçakut, që do ishte problematike për ne”, tha ai.

Bislimi thotë se nuk ka pasur asnjë presion nga askush. “Ndryshe unë nuk nënshkruaj asnjë dokument që nuk është i drejtë dhe i pranueshëm për shtetin e Kosovës. Madje s’kam as kompetenca të nënshkruaj sepse është kryeministri dhe Kuvendi organi më i lartë për këtë çështje”, tha Bislimi.

Duke folur për premtimet e Bashkimit Evropian rreth liberalizimit të vizave Besnik Bislimi thotë se sipas BE-së ne i kemi plotësuar kriteret dhe obligimet. “Mendoj se ka lajme pozitive për Kosovën dhe jemi në një pasqyrë të mirë sa i përket luftës kundër krimit e korrupsionit dhe po marrim poenë pozitiv në këtë drejtim nga faktori ndërkombëtar. Tek e fundit unë jam optimist dhe besoj në Bashkimin Evropian”, shtoi Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi duke folur për projektet nëpër komunat e Kosovës, e në veçanti për rajonin e Anamoravës tha se varet krejt prej kryetarëve të komunave, sa janë të aftë të ofrojnë projekte konkrete. ”Gjilani duhet të kalojë interesat e një komune dhe duhet të jetë komunë dinamike dhe urë lidhëse edhe në investime, edhe për komunat tjera në rajon” shtoi Bislimi.