Bjellorusia: Po merren “masa adekuate” kundër aktiviteteve ushtarake në Poloni dhe Baltik

Bjellorusia sot tha se po ndërmerren “masa adekuate të reagimit” kundër aktiviteteve të fundit ushtarake në Poloni dhe shtetet baltike, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Belta, transmeton Anadolu.

“Mund të them me besim se të gjitha parashikimet tona në lidhje me aktivitetet e bllokut të NATO-s dhe anëtarëve të tij individualë janë vërtetuar plotësisht. Natyrisht, ne nuk rrimë duarkryq, por po marrim masat e duhura të reagimit”, tha në një takim Alexander Volfovich, sekretari shtetëror i Këshillit të Sigurisë së Bjellorusisë.

Tensionet midis Bjellorusisë, aleat rus, dhe Polonisë janë rritur ditët e fundit, veçanërisht për shkak të pranisë së grupit paraushtarak “Wagner”, i cili gjeti strehim në vendin e Evropës Lindore pas rebelimit të tij kundër Moskës në qershor.

Qeveria polake njoftoi të mërkurën se po planifikon të vendosë 2.000 trupa shtesë në kufirin e saj me Bjellorusinë dhe akuzoi autoritetet bjelloruse për organizimin e migrimit të paligjshëm.

“Fqinjët e Bjellorusisë po përpiqen të përshkallëzojnë situatën në rajon në çdo mënyrë të mundshme”, tha Volfovich, duke pretenduar se janë rritur masat që çojnë në militarizimin e Polonisë dhe vendeve baltike. Ai tha se janë duke studiuar në detaje përvojën e kryerjes së “operacionit special ushtarak” në Ukrainë “në këto kushte”.

“Jemi duke punuar në taktikat e zhvillimit të luftimeve moderne së bashku me instruktorët e ‘Wagner PMC’ (kompanisë ushtarake private). Dhe ne nuk e fshehim atë. Gjithçka bëhet vetëm për qëllime mbrojtëse. E njëjta gjë vlen edhe për vendosjen e armëve bërthamore taktike ruse në Bjellorusi”, shtoi ai.