Bllokohet sektori i transportit, as sot s’ka qarkullim të autobusëve

Të mërkurën filloi grevë-protesta e Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, e të cilët vendosen që të ndalin qarkullimin e autobusëve.

Bojkotimi i punës dhe greva e operatorëve të transportit publik do të vazhdojë edhe sot, ndërsa është paralajmëruar se në ditën e premte Shoqata e Transportuesve Rrugor të Udhëtarëve do të organizon protestë në Prishtinë, dhe të gjithë operatorët do t’i sjellin autobusët para Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj të mërkurën tha se Këshilli Drejtues i shoqatës mori vendim që greva për mos qarkullim të transportit rrugor të udhëtarëve do të vazhdon edhe sot, ndërsa të premten orën 10:00 të gjithë operatorët e transportit do të defilojnë me autobus në Prishtinë në shenjë pakënaqësie për mos realizimin e marrëveshjes nga ana e qeverisë për subvencionim të humbjeve ekonomike që kanë pasur operatorët e transportit publik në pandemi.