Borell në Shkup: Duhet të jetësohet procesi i zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor

“Ky është një moment zgjimi për Evropën, një moment kur procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetësohet. E di që keni pritshmëri të caktuara dhe me të drejtë”, tha Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Josep Borrell tha se ky është një moment zgjimi për Evropën, një moment kur procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetësohet, raporton Anadolu Agency (AA).

Borrell, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, që është ndalesa e parë e turit të tij në Ballkanin Perëndimor, mbajti një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e vendit, Dimitar Kovaçevski.

Duke thënë se vizita e tij ishte në përgjigje të sulmit barbar ndaj popullit të Ukrainës, Borrell tha se jo vetëm objektet ushtarake, por edhe civilët po sulmohen dhe se pritet që 4 deri në 5 milionë ukrainas të shkojnë në vende të tjera.

“Duhet të falënderoj Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për dënimin e qartë dhe qëndrimin e saj të vendosur kundër agresionit rus dhe mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën dhe popullin ukrainas”, tha Borrell.

Borrell, duke deklaruar se Maqedonia e Veriut dhe i gjithë rajoni janë prioritet strategjik për Bashkimin Evropian, tha se janë të përkushtuar që perspektiva evropiane e rajonit të bëhet realitet.

“Ky është një moment zgjimi për Evropën, një moment kur procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetësohet. E di që keni pritshmëri të caktuara dhe me të drejtë. Duhet të fillojmë sa më shpejt negociatat formale për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe shpresoj se kjo do të jetë e mundur në konferencën e ardhshme ndërqeveritare”, deklaroi Borrell.

I pyetur nga gazetarët se çfarë do të bënte konkretisht përveç përpjekjeve deklarative për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe nëse mund të premtonte fillimin e negociatave në qershor, Borrell tha se vendi i Maqedonisë së Veriut është në familjen e BE-së por nuk mund të premtonte se kur do të fillojnë negociatat.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se në një kohë të paqëndrueshmërisë së madhe si rezultat i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, ai tha se si kurrë më parë ka lindur nevoja që Evropa të jetë e bashkuar, e fortë dhe plotësisht e përgatitur për të mbrojtur vlerat demokratike mbi të cilat është ndërtuar.

“Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet anëtare duhet të veprojnë në mënyrë strategjike, me guxim dhe të bëjnë thirrje për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. E vetmja Evropë që është plotësisht e bashkuar mund të jetë një Evropë e fortë. Situata aktuale e ‘status quo’-së është një situatë që nuk i bën dobi askujt”, theksoi Kovaçevski.

Duke thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë, kryeministri Kovaçevski tha se kur ka përparim në një vend, kjo është një nxitje për përparim në fqinjët e tjerë.

“Lufta që po ndodh është rrezik për rritjen e ndikimit të palëve të treta në rajon, për çka të gjithë duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të përgatitur”, tha ai.

“Integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit do të sigurojë stabilitetin dhe zhvillimin e Evropës”, ​​shtoi Kovaçevski. /aa