Nisma e Kinës për projektin “Një brez një rrugë” ka ngarkuar shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme me “borxhe të fshehura” që arrijnë në 385 miliardë dollarë, shkruan Financial Times.
Hulumtimet e reja sugjerojnë se detyrimet financiare të shumë vendeve të lidhura me iniciativën e politikës së jashtme të Presidentit Xi Jinping janë nën-raportuar sistematikisht me vite. Kjo ka rezultuar në rritje të “borxheve të fshehura”, ose detyrime të pazbuluara që qeveritë mund të jenë të detyruara të paguajnë.
Gjetjet janë pjesë e një raporti të ri të botuar nga AidData, një institucion kërkimor zhvillimor ndërkombëtar në Kolegjin William & Mary në Virxhinia, i cili ka analizuar më shumë se 13,000 projekte të financuara nga ndihma dhe borxhe me vlerë më shumë se 843 miliardë dollarë në 165 vende, për mbi 18 vjet deri në fund të 2017.
Studiuesit e AidData vlerësuan se borxhet ekzistuese që rrjedhin nga huadhënia kineze janë “shumë më të mëdha” nga sa vlerësohej më parë nga agjencitë e vlerësimit të kredisë dhe organizatat e tjera ndërqeveritare me përgjegjësi mbikëqyrjeje.
“Me të vërtetë mu mor fryma kur zbuluam për herë të parë atë shifër [385 miliardë dollarë],” tha Brad Parks, drejtor ekzekutiv i ekipit të AidData, për Financial Times.
Ritmi i huadhënies për projektin është ngadalësuar gjatë dy viteve të fundit. Dhe këtë vit SHBA -ja ka udhëhequr një përpjekje të G7 për të frenuar dominimin e Pekinit në financat ndërkombëtare për vendet në zhvillim.
Më shumë se 40 vende me të ardhura më të ulëta dhe të mesme (LMIC) tani kanë nivele të ekspozimit të borxhit ndaj Kinës më të larta se 10 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto kombëtar, vlerësoi AidData.
“Këto borxhe në pjesën më të madhe nuk shfaqen në bilancet e qeverisë në vendet në zhvillim. Gjëja kryesore është se shumica e tyre përfitojnë nga forma të qarta ose të nënkuptuara të mbrojtjes së përgjegjësisë nga qeveritë pritëse. Kjo në thelb po zbeh dallimin midis borxhit privat dhe atij publik, ”tha Parks. /monitor