Kompania gjermane Bosch, furnizuesi më i madh i pajisjeve për industrinë e automobilave në botë, ka njoftuar se do të shkurtojë 13 mijë vende pune deri në vitin 2030.
Vendimi vjen pas rënies së kërkesës në tregun global të makinave, kostove të larta dhe presionit nga konkurrentët.
Sipas kompanisë, boshllëku i kostove arrin në 2.5 miliardë euro (2.9 miliardë dollarë) në vit, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen.
Përveç reduktimit të stafit, Bosch synon të ulë shpenzimet për materiale dhe operim, të kufizojë investimet në ndërtesa dhe të thjeshtojë zinxhirët e furnizimit.
Shkurtimet do të prekin disa qendra në Gjermani, sidomos në administratë, shitje dhe prodhim, ku ka pasur mbikapacitete për shkak të rënies së kërkesës.
“Është shumë e dhimbshme, por nuk ka rrugë tjetër për të mbetur konkurrues”, ka thënë Stefan Grosch, anëtar i bordit drejtues.
CEO Stefan Hartung shtoi se kompania pret një rritje modeste prej rreth 2% të të ardhurave në vitin 2025, krahasuar me 90.5 miliardë euro që realizoi vitin e kaluar. Bosch ka aktualisht rreth 418 mijë punonjës në mbarë botën.








