Bota drejt normalitetit/ Covid-19, shumë shtete zbusin izolimin

Në SHBA, vendi më i goditur në botë me afro 1 milion raste të konfirmuara dhe më shumë se 55,000 vdekje, një grup shtetesh kanë përgatitur plane për të lehtësuar këtë javë kufizimet e koronavirusit, pasi papunësia është rritur.

Lëvizja e tyre vjen pavarësisht paralajmërimeve të shumë ekspertëve të shëndetit publik, të cilët thonë se rritja e bashkëveprimit njerëzor mund të shkaktojë një valë të re rastesh me COVID-19. Kolorado, Misisipi, Minesota, Montana dhe Tenesi do t’u bashkohen shteteve të tjera duke filluar një eksperiment për të rihapur ekonomitë pa bërë testime.

Specialistët paralajmërojnë se testimet janë të nevojshme për të parandaluar rigjallërimin e infeksionit. Xhorxhia, Oklahoma, Alaska dhe Karolina e Jugut kanë ndërmarrë tashmë hapa për të rihapur ekonomitë e tyre pas një muaj bllokimesh të urdhëruara nga qeveria. Në Europë sakaq, shumë vende po lehtësojnë masat e izolimit duke shtuar në të njëjtën kohë numrin e testimeve dhe gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar.

Italia njoftoi se do t’i zbusë masat e izolimit, por autoritetet paralajmëruan se distancimi fizik dhe mbajtja e maskave të fytyrës do të mbeten në fuqi.Ky vend do të rihapë disa biznese të vogla dhe ato prodhuese gjatë kësaj jave. Italia ka numrin më të madh të vdekjeve nga COVID-19 në Evropë – më shumë se 26,000. Edhe Franca, Gjermania dhe Belgjika kanë paralajmëruar lehtësim të masave./tch