Bregu Perëndimor – Ushtria izraelite plagosi 13 palestinezë

Trembëdhjetë persona u plagosën kur trupat izraelite ndërhynë ndaj palestinezëve që demonstronin në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Si përgjigje ndaj marshimit të pushtuesve civilë të paligjshëm hebrenj në vendbanimin e evakuuar të paligjshëm Humesh, pranë qytetit Nablus në Bregun Perëndimor, palestinezët organizuan demonstrata në qytetet Burka dhe Deyru Sharaf, ndërsa ndaj tyre ndërhynë ushtarët izraelitë.

Në Burka, forcat izraelite përdorën plumba gome për të shpërndarë demonstruesit, me çrast u plagosën 13 persona.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se 106 persona të lënduar gjatë incidenteve kanë marrë trajtime mjekësore, nga të cilët 67 u prekën nga gazi lotsjellës.

Përveç kësaj, një nga ambulancat që i përkiste organizatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze që shërben në zonë, u godit me plumba gome nga armët e ushtarëve izraelitë, thuhet në deklaratë.

Dy persona u goditën në mënyrë të ngjashme me plumba dhe 13 të tjerë u prekën nga gazi lotsjellës në Deyru Sharaf.

Ndërkohë, raportet e mediave izraelite thonë se edhe këtë vit, ashtu si vitet e kaluara, policia izraelite nuk do të lejojë kolonët hebrenj të hyjnë në Xhaminë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor nga e premtja deri në ditën e fundit të Ramazanit.

Ndërkohë, Presidenti palestinez Mahmud Abbas theksoi se ai kundërshton plotësisht çdo ndryshim në statusin historik dhe ligjor të Xhamisë Al-Aksa në Jerusalem.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve “WAFA”, Presidenti Abbas u takua me Përfaqësuesin Special të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Tor Wencesland në Ramallah.

Abbas i dërgoi një letër Wencesland-it për t’ia përcjellë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.

Ai vuri në dukje se sulmet në Al-Aksa kryhen çdo ditë nga forcat izraelite dhe kolonët hebrenj, duke thënë se sulmet janë një shkelje e madhe e statusit historik dhe ligjor të Kompleksit Al-Aksa dhe se vizitat nga jomuslimanët duhet të kryhen pas koordinimit me fondacionet islamike.

Abbas vuri në dukje se në këto sulme janë plagosur dhe arrestuar qindra palestinezë, ndërsa shtoi se qëndrimet e njëanshme duhet të ndalen dhe marrëveshjet e nënshkruara duhet të respektohen.

Presidenti palestinez gjithashtu i bëri thirrje OKB-së që të mobilizojë përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund padrejtësisë historike kundër palestinezëve.

Duke folur pas takimit, Përfaqësuesi Special i OKB-së Tor Wencesland theksoi se ishte thellësisht i shqetësuar për atë që kishte ndodhur në rajon për dy javë.

Pasi bëri të ditur se OKB-ja është në komunikim të ngushtë me të gjitha palët për të qetësuar situatën, Wencesland rekomandoi që palët përkatëse të vazhdojnë dialogun mes tyre. /trt