Brigadat Kassam njoftojnë se kanë vrarë dhe plagosur shumë ushtarë izraelitë në Gaza

Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit njoftoi se kanë vrarë dhe plagosur mbi 20 ushtarë izraelitë në lagjen Sheikh Ridwan të Gazës, transmeton Anadolu.

Nga llogaria Telegram, Brigadat Kassam kanë bërë një deklaratë lidhur me aktivitetet e rezistencës që zhvillojnë kundër ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.

Në deklaratë thuhet se gjatë përleshjeve në lagjen Sheikh Ridwan të qytetit të Gazës ka mbi 20 të vrarë dhe të plagosur prej forcave speciale të Izraelit.

Në një deklaratë tjetër, Brigadat Kassam theksuan se në lagjen Sheikh Ridwan shënjestruan një tank izraelit Merkava me një eksploziv të punuar me dorë të emërtuar “Shuwaz”.

Gjithashtu thuhet se në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës u goditën me mortaja dy zona në të cilën ndodheshin automjete dhe ushtarë izraelitë.​

Izraeli nuk ka dhënë ende deklaratë lidhur me ngjarjen.

Ushtria izraelite ka njoftuar se që nga 7 tetori kur nisën sulmet në Rripin e Gazës, janë vrarë 502 ushtarë të saj, prej të cilëve 168 gjatë procesit të pushtimit tokësor.