Britania: Boll e mbrojtët Assadin

Pas konfirmimit se regjimi i Bashar Asadit në Siri ka përdorur armë kimike, Sekretari i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, i ka bërë thirrje Rusisë të ndalojë së mbrojturi aleatin e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

“Britania i dënon këto rregulla të tmerrshme të luftës dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të bashkohet në mënyrë që regjimi i Asadit të japë llogari”, ka thënë Johnson.

Deklarata e Johnsonit vjen pasi Misioni i përbashkët hetimor (JIM) i themeluar nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) i dorëzoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raport i cili hedh përgjegjësinë mbi regjimin për masakrën kimike në Han Shejhun të Sirisë.

“Në vitin 2013, Rusia u betua se do të sigurohet që Siria do të braktisë të gjitha armët kimike. Që atëherë, hulumtuesit kanë konfirmuar se regjimi i Asadit ka përdorur gaz helmues në katër sulme të ndryshme. Rusia disa herë u përpoq t’i pengojë përpjekjet për gjetjen e së vërtetës për sulmin në Han Shejhun”, ka theksuar Johnson.

Johnson po ashtu ka vënë në dukje se Rusia ka përdorur nëntë herë të drejtën e vetos për të mbrojtur regjimin dhe tre herë ka penguar llogaridhënien e regjimit për përdorim të gazit helmues në sulme.

“Kjo sjellje vetëm se dobëson konsensusin global kundër përdorimit të armëve kimike. I bëj thirrje Rusisë të ndalojë së mbuluari gabimet e aleatit të saj dhe të ruajë zotimin e saj për të garantuar mospërdorimin e armëve kimike edhe njëherë”, ka shtuar shefi i diplomacisë britanike, Boris Johnson.

Ndryshe, regjimi i Asadit më 4 prill organizoi sulm me armë kimike në rajonin Han Shejhun të Idlibit, duke vrarë të paktën 100 veta dhe duke plagosur mbi 500 të tjerë.