Britania dënon vendimin e Izraelit për 19 vendbanime të reja të paligjshme në Bregun Perëndimor

Britania e Madhe dënoi të dielën vendimin e Izraelit për miratimin e 19 vendbanimeve të reja të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

“Britania dënon vendimin e qeverisë izraelite për miratimin e 19 vendbanimeve të reja në Palestinë. Këto janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar”, shkroi ministri britanik për Lindjen e Mesme, Hamish Falconer në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.

Komentet e tij erdhën pasi Kabineti i Izraelit miratoi propozimin për 19 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke e çuar numrin total të vendbanimeve të reja gjatë viteve të fundit në 69, sipas ministrit të Financave të ekstremit të djathtë izraelit, Bezalel Smotrich.

“Kjo rrezikon të dëmtojë planin 20 pikësh dhe perspektivat për paqen dhe sigurinë afatgjatë që vetëm një zgjidhje me dy shtete mund ta ofrojë”, paralajmëroi Falconer duke iu referuar planit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.102 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, kanë plagosur gati 11 mijë dhe kanë ndaluar rreth 21 mijë që nga tetori i vitit 2023, sipas shifrave palestineze.

Në një vendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.