Britania e Madhe takson edhe pijet e ëmbla

Një taksë për pijet e ëmbla hyri sot në fuqi në Britaninë e Madhe, që parashikon uljen e konsumit të sheqerit tek më të rinjtë dhe obezitetit tek fëmijët, që është në rritje të vazhdueshme.

“Adoleshentët tanë konsumojnë mesatarisht ekuivalenten e një vaske të mbushur me pije të ëmbla çdo vit, gjë që kontribuon në zhvillimin shqetësues të obezitetit në vend”, nënvizoi në një komunikatë sekretari i Shtetit për Shëndetin publik, Steve Brine.

”Taksa e re do të ndihmojë në reduktimin e konsumit të sheqerit duke financuar programet sportive me destinacion fëmijët dhe shpërndarjen e drekave të shpejta në shkolla”, theksoi ai.

Sipas të dhënave të qeverisë britanike, në Angli, një e treta e fëmijëve që hyn në kolegj janë mbipeshë ose obezë.

Për një pije që përmban pesë deri në tetë gramë sheqer për 100 mililitra, qeveria vendosi një taksë prej tetë peni në çmimin për litër.

Taksa u rrit në 24 peni për litër për pijet që përmbajnë më shumë se tetë gramë për 100 mililitra.

“Ne dëshirojmë të bindim kompanitë industriale të modifikojnë recetat e tyre dhe të reduktojnë sasinë e sheqerit në pijet e tyre”, shtoi sekretari i Shtetit për Thesarin, Robert Jenrick.

Më shumë se gjysma e prodhuesve kishin ndërmarrë masa në këtë kuadër që prej njoftimit, dy vjet më parë, për vendosjen e taksës.

Por, disa kompani të mëdha industriale, si prodhuesit e ”Pepsi”-t dhe ”Koka Kola”-s klasike, nuk kanë modifikuar recetat e tyre.