Përqindja e të krishterëve në Kudsin e pushtuar ka rënë nga 25 për qind e popullsisë në vitin 1922 në rreth 1,56 për qind në fund të vitit 2023, sipas një studimi të publikuar nga Fondacioni Ndërkombëtar i Kudsit, transmeton Anadolu.
Studimi thekson se në fund të vitit 2023 qyteti kishte rreth 15.300 të krishterë, përfshirë afërsisht 13.100 palestinezë.
Rënia u atribuohet politikave izraelite, presioneve ekonomike dhe sociale, emigrimit të vazhdueshëm dhe rritjes së ulët të popullsisë.
Sipas studimit, politikat izraelite të qëndrimit që prekin palestinezët në Kuds, përfshirë revokimin e lejeve të qëndrimit në bazë të kriterit të “qendrës së jetës”, kanë kontribuar gjithashtu në zvogëlimin e pranisë palestineze në qytet.
Studimi dokumentoi gjithashtu përpjekjet për marrjen nën kontroll të pronave dhe pasurive të vakëfeve kishtare, të cilat përbëjnë rreth 28 për qind të tokave vakëfnore në Kudsin Lindor të pushtuar. Këto përpjekje përfshijnë kontrata afatgjata qiraje dhe presione financiare.
Raporti përmendi gjithashtu sulmet ndaj klerikëve të krishterë, murgjve dhe besimtarëve, përfshirë sulme fizike dhe verbale, pështyrje, si dhe dëmtimin e pronave, varrezave dhe simboleve fetare.
Studimi vuri në dukje edhe kufizimet izraelite për qasjen në Kishën e Varrit të Shenjtë dhe pjesëmarrjen në ngjarjet fetare, përfshirë festimet e së Shtunës së Madhe dhe Pashkëve.
Ai paralajmëroi se politika të tilla kërcënojnë karakterin arab dhe pluralist të Kudsit dhe bëri thirrje për përpjekje më të mëdha ligjore dhe diplomatike për mbrojtjen e vendeve të shenjta të krishtera, pronave kishtare dhe pranisë së të krishterëve palestinezë.
Zhvillimet vijnë në një kohë të sulmeve më të gjera ushtarake izraelite dhe dhunës së kolonëve në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, që nga tetori i vitit 2023.
Sipas shifrave palestineze, gjatë kësaj periudhe janë vrarë më shumë se 1.220 palestinezë, rreth 13.350 janë plagosur dhe mbi 26.000 janë ndaluar.




